E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Kthimi’ nis audicionet

Me datën 23 qershor, në hapësirat e Teatrit Shqiptar të Shkupit, do të nisë audicioni me përzgjedhjen e sesionit të parë për aktorët e filmit “Kthimi” të regjisorit Kastriot Avdyli, i cili për këtë film ka siguruar 49 përqind të buxhetit. Nga Albana S. Muja më 20 qershor 2011 në ora 14:02

Ca kohë më parë, në një intervistë për Express, regjisori Kastriot Avdyli ka deklaruar që për filmin e metrazhit të gjatë, “Kthimi”, ku vet ai do të jetë regjisor dhe bashkëskenarist, ka siguruar një shumë të hollash prej 200 mijë euro nga Fondi Filmik i Maqedonisë, ndonëse në total filmi kap vlerën prej 407 mijë euro.

Edhe pse ende të hollat në total nuk janë gjetur, për filmin është duke u punuar. Më datën 23 qershor (e enjte), nga ora 11:00, në hapësirat e Teatrit Shqiptar të Shkupit dhe më 24 qershor (e premte), prej orës 11:00, në hapësirat e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, Shtëpia Filmike Dardania Film do të fillojë me përzgjedhjen e sesionit të parë të aktorëve për filmin “Kthimi”.

Sipas regjisorit, ende është faza e kompletimit të buxhetit. Ai pohon që ka aplikuar në disa vende, ndonëse me disa producentë është në negociata, mirëpo, paraprakisht, do të vazhdohet me fazën e përzgjedhjes së aktorëve.

“Tani e kemi seksionin e parë, ku do t’i marrim imazhet e para të aktorëve. Ndërkohë me kompletimin e buxhetit, do të fillojmë xhirimet rreth mesit apo fundit të shtatorit të këtij viti”, theksoi Avdyli.

Deri më tani janë siguruar 49 përqind e buxhetit, pjesa më e madhe e buxhetit vjen nga FFM-ja, derisa rregullat janë që kush e financon filmin prej aty duhet të nxirren aktorët dhe kjo ndoshta është arsyeja, apo nëse mund të thuhet një lloj pengese, e cila do t’i kushtojë regjisorit, që pjesën më të madhe të aktorëve t’i angazhojë nga Maqedonia. Mirëpo, sipas tij, kjo nuk do të jetë pengesë për një zgjedhje të mirëfilltë autoriale dhe që i përshtatet filmit.

“Shpresoj që do të arrijmë të bëjmë një zgjedhje edhe me Kosovën, pasi që të enjten është audicioni në Shkup, ndërsa menjëherë të premten do të jetë në Prishtinë”, tha Avdyli, derisa nuk e mohoi që shumë shpejt audicioni mund të jetë edhe në Tiranë.

Skenari i filmit të metrazhit të gjatë “Kthimi” trajton një temë e cila fokusohet në peripecitë e të rinjve të Kosovës në periudhën e viteve 1990-1999, kur jetesa dhe punësimi i tyre ishte pothuajse i pamundur, ndërsa të rinjtë zgjidhnin të ia mësyjnë perëndimit.

Në një intervistë për Express, Darko Basevski, drejtor i FFM-së, pati thënë që “Kthimi” është financuar për shkak se është një projekt shumë interesant dhe ka një skenar shumë të mirë.

Edhe Avdyli theksoi që produksione të ndryshme, me të cilat ai është në negociata, kanë shprehur simpati ndaj skenarit dhe temës që shtjellohet në film dhe kjo ndoshta do të jetë një arsye që ai shpreson në kompletimin e buxhetit e menjëherë në shtator të fillohet puna me xhirimet.

Njëri nga rolet kryesore, të cilin regjisori e ka parë që në përpilimin e parë të skenarit, ka qenë aktori Selman Lokaj nga Kosova, ndërsa për pjesën tjetër të aktorëve do të dihet pasi të përfundojë audicioni.

Sipas Avdylit, përzgjedhja e aktorëve nuk do të jetë problem për të, ngaqë sipas tij, në trojet shqiptare ka mjaftë aktorë të mirë, mirëpo tragjedia e tyre është që shumë pak filma bëhen, si në Kosovë, Maqedoni apo edhe në Shqipëri.

“Ne e kemi plejadën e aktorëve të vjetër, që e kanë dëshmuar vetën, sidomos në filmat e Isa Qosjës, Agim Sopit dhe të Ekrem Kryeziut dhe disa regjisorëve tjerë, po ashtu edhe gjenerata e aktorëve të mesëm dhe të rinj, janë dëshmuar”, u shpreh ai.

Në qershor të këtij viti ka skaduar afati i kompletimit të buxhetit në kontratën e FFM-së, mirëpo, Avdyli pohon se ka hasur në mirëkuptim, me një aneks kontrate të re, të cilën e ka vazhduar FFM-ja, në të cilën figurojnë edhe gjashtë muaj tjerë kohë për të kompletuar buxhetin në 70 përqind.

Vazhdimi i kësaj kontrate, sipas Avdylit, është bërë i mundur pasi vetë regjisori gjatë kësaj kohe ka pësuar në një aksident dhe fondi i Maqedonisë ka hasur në mirëkuptim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›