Gordon: Bosnja ka ngecur viteve të fundit
Bosnje-Hercegovina ka bërë përparim të madh që nga tmerret e luftës së viteve të 90-ta.
"Por në katër ose pesë vitet e fundit," tha ndihmës sekretari i shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Philip Gordon, "ajo nuk ka ecur në drejtimin e duhur."
Ka pasur një rritje të rrezikshme në retorikën nacionaliste.
Institucionet e shtetit dhe marrëveshjet e Daytonit janë sfiduar hapur.
Ka pasur përpjekje për të kthyer prapa reformat të cilat janë të nevojshme për Bosnje-Hercegovinën që ajo të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
"Në përgjithësi, politikanët boshnjakë kanë qenë tepër të zellshëm për të nxitur frikën etnike dhe për të vënë interesat e tyre personale politike mbi nevojat e njerëzve që ata duhet të përfaqësojnë. Nëse kjo nuk ndalet, Bosnja rrezikon të mbetet pas, ndërkohë që pjesa tjetër e rajonit ecën përpara”, tha Gordon.
Për t’u kthyer në rrugën e duhur, Bosnja duhet të jetë në gjendje të funksionojë si një shtet që mund të japë rezultate për të gjithë qytetarët e saj.
Hapi i parë është të formohet një qeveri në nivel shtetëror.
Kanë kaluar tetë muaj që nga zgjedhjet, dhe nëse nuk formohet së shpejti një qeveri, vendi do të ketë pasoja të rënda ekonomike.
Për më tepër, çdo ditë që kalon pa një qeveri, bën që Bosnje-Hercegovina të mbetet akoma më prapa fqinjëve të saj.