‘Menaxheri’ mashtrues

“Po ju shkruaj për t’ju njoftuar se nuk jam menaxher i futbollit. Jam një djalosh 18 vjeç dhe në dy muajt e fundit kam arritur t’ju mashtroj të gjithëve me njoftimet e mia të rreme”.
Kështu fillon letra e një djaloshi, i cili tregon se si arriti të mashtrojë gazetarët sportivë të disa prej mediumeve më të fuqishme në Evropë. Gjithçka filloi në mënyrën më të thjeshtë dhe më banale.
Nëpërmjet një llogarie në rrjetin social Twitter: @FootballAgent49. Një pasdite 18 vjeçari ka filluar të mendojë për planin sa të thjeshtë, aq gjenial për të mashtruar mediet: krijoi një llogari në Twitter ku u prezantua si menaxher i futbollit, duke ofruar lajme të rreme rreth afatit kalimtar të futbollistëve në kulmin e tregut të verës.
Ai publikonte paraprakisht lajme që kishin të bënin me “përfaqësuesit e tij”. Brenda pak ditësh, llogaria e tij mblodhi 40 mijë përcjellës, në mesin e të cilëve edhe gjigantët britanikë Sky Sports News, BBC dhe e përditshmja Daily Mail. Shumë lajme të rreme përcollën mediumet botërore, por ai më i jashtëzakonshmi pa dyshim ishte transferimi i sulmuesit të Atletico Madridit në Chelsea. “E gjithë ajo që shkruaja ishte e rreme”, pranoi “menaxheri”.
“Por, ishte argëtuese duke parë se profili im përdorej si burim i besueshëm i lajmeve. Lajmi im i preferuar ishte ai në lidhje me kalimin e Falcaos te Chelsea.
Kurse gazetari i Daily Mail citoi postimin tim në shkrimin e tij për interesimin e Tottenhamit për Leite Kakan. Qesharake!”, vazhdoi ai.
Pas publikimit të shkrimit, ai e mbylli llogarinë e tij në Twitter pa asnjë pendim sepse “është dashur ta kuptonit se profili im ishte i rremë”. Ai u kënaq, dikush tjetër pak më pak. “Më vjen keq vetëm për tifozin që shtypi fanellën e Chelseat me emrin Falcao 20”.