E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria synon ta ndalë Prishtinën

Prishtina do ta kërkojë fitoren e tretë rresht në sfidën e radhës në Prizren ndaj Lirisë. Prishtinasit janë të motivuar dhe të kompletuar. Në anën tjetër, bardhezinjtë synojnë ta ndalin kampionin aktual të Kosovës në stadiumin ‘Përparim Thaçi’, nga i cili jo rrallë bardhekaltrit nuk kanë dalë mirë.

Prishtina do të udhëtojë të shtunën drejt Prizrenit në kërkim të fitores së tretë të sezonit të ri në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll.

Bardhekaltrit janë të vetmit që kanë shënuar dy fitore nga po aq ndeshje këtë fillim sezoni, prandaj ky fakt i motivon ata që në stadiumin ‘Përparim Thaçi’, ku zakonisht kanë hasur në probleme për të nxjerrë rezultat të favorshëm, të kapin rezultat pozitiv.

“Unë e kam mentalitetin fitues dhe jam optimist. Nëse mendojnë njëjtë edhe lojtarët e mi, nëse e japin maksimumin, do t’i fitojmë edhe tri pikë tjera. Jemi të motivuar, të përgatitur mirë fizikisht dhe psikikisht. Për dallim nga loja me Vëllaznimin, na janë rikthyer lojtarët që na munguan ndaj Vëllaznimit”, deklaroi trajneri i Prishtinës, Ejup Mehmeti – Kapiti.

Në anën tjetër, prizrenasit synojnë ta mposhtin kampionin aktual. Ata do t’i motivojë edhe më shumë fakti se do të luajnë me liderin e Superligës. Bardhezinjtë në dy xhirot e para kanë regjistruar një fitore dhe një humbje.

“Jemi të vetëdijshëm se kemi të bëjmë me skuadrën e Prishtinës, cilësitë e së cilës i dimë. Mirëpo, ne do ta bëjmë punën tonë, e rezultati besoj të vijë vetvetiu si pasojë e angazhimit të të gjithëve në fushë’, ka thënë për ueb faqen zyrtare të klubit, Skënder Kapra, shef i shtabit teknik të Lirisë. Ai po ashtu llogarit edhe në ndihmën e publikut, që pritet të jetë në numër rekord në stadium.

Derisa prishtinasve do t’u mungojë sulmuesi Faton Zejnullahu, te prizrenasit nuk do të luajë mbrojtësi Erdogan Brando për shkak të lëndimit. Ndeshja ndërmjet Lirisë dhe Prishtinës do të fillojë në orën 16:00.

Superliga -Xhiroja e tretë

E shtunë

16:00 Liria – Prishtina

17:00 Drenica – Kosova

E diel

15:00 Vëllaznimi – Trepça

E hënë

16:00 Drita – Ferronikeli

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›