‘Shqipëria’ e Ben Blushit në variant elektronik

Për të gjithë ata që janë të fiksuar pas teknologjisë apo për ata (ato) që nuk para duan të mbajnë “pesha” nëpër çanta, ka një zgjidhje. Një libër në version elektronik. Moda e e-book-ut vjen edhe në Tiranë nga shtëpia botuese “Mapo Editions”. Kjo tendencë hap siparin me një libër best-seller. Bëhet fjalë për romanin “Shqipëria” të Ben Blushit. Tashmë libri-metaforë i Ben Blushit vjen brenda formatit të një CD-je.
Kompjutera personalë, celularë, tablet, iPad, e çdo mjet tjetër elektronik mund të shërbejë si një mjet i mirë për të lexuar romanin “Shqipëria”. Krahas versionit tradicional, i cili ka njohur një shitje prej 14 mijë kopjesh, tashmë vjen edhe në versionin elektronik, i cili rrok një kategori tjetër lexuesi, atë më të ri, më të dhënë pas teknologjisë, por nuk përjashton as studiuesit, të cilët së fundi i janë qasur mjaft mirë “shfletimit” elektronik, duke qenë që edhe çmimi i këtyre librave është edhe më i leverdishëm.
Në rastin konkret, varianti elektronik kushton 500 lekë, kurse ai në letër, 1 mijë.