E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Subversiv’ ndaj Evropës

Festivali i Pestë Subversiv, në Zagreb, sivjet mbahet prej datës 5 deri më 19 maj. Nëpërmjet tërësive dhe qasjeve të ndryshme tematike, në fokus të festivalit do të jetë Evropa, gjegjësisht kriza e projektit evropian në aspektin ekonomik, financiar, social dhe ideologjik.

Java e parë e festivalit (5 deri 12 maj) do t’i kushtohet pjesës filmike të programit, përderisa pjesa konferenciale e tij do të mbahet mes datave 13 dhe 19 maj.

Në festivalin e sivjetmë do të shqyrtohet në mënyrë kritike kiza aktuale që po e shkallmon Evropën, ndërkohë që risi do të jetë Forumi Subversive, në të cilin do të synohet që të theksohen mundësitë reale për transformimin e Kontinentit të Vjetër, në kuadër të punës në një projekt të ri politik, shoqëror dhe ekonomik.

Në kuadër të Forumit Subversive, Zagrebi do të jetë nikoqir i disa ngjarjeve, përfshirë këtu konferencën ndërkombëtare ‘Ardhmëria e Evropës’, si dhe i debateve: ‘Kriza e Evropës’ (14-15 maj), ‘Beteja Për të Mirëqenien e Përbashkët’ (16 maj), ‘Drejt Forumit Social Ballkanik’ (17-18 maj) dhe ‘Panairi Subversiv i Librit’. Paralelisht, si çdo herë deri më tani, në javën e parë të festivalit (5-12 maj) do të mbahet edicioni i pestë i Subversive Film Festival, që sivjet quhet ‘Europa Incognita’.

Sipas organizatorëve, në debatet e festivalit pritet ardhje dhe pjesëmarrja e mbi njëqind pjesëmarrësve nga Greqia, Portugalia, Spanja, Franca, Belgjika, Gjermani, Serbia, BeH, Shqipëria, Maqedonia, Sllovenia, Hungaria, Rumania, Mali i Zi, Austria, Italia, Britania e Madhe, India dhe Senegali.

Ndryshe, organizatorët kanë njoftuar se deri më tani është konfirmuar edhe ardhja e shumë filozofëve, artistëve dhe sociologëve, si Stephan Hessel, Slavoj Zizek, Michael Hardt, Tariq Ali, Gayatri Spivak, Samir Amin, Saskia Sassen, Renata Salecl, Christiano Marazzi, Bernard Cassen, Ignatio Ramoneto, Eric Toussaint, Costas Douzinas, Boris Buden dhe Andrej Nikolaidis.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›