“36 pranvera”
Ka lindur në Rashkoc të Gjakovës më 20 prill të vitit 1975.
Ups! Pak klishe!
Po flasim për ditëlindjen e 36 të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, të cilën sot sigurisht që do ta festojë me stafin e saj në Presidencë.
Por, si?
Këtë nuk e di askush, por sigurisht kjo do të jetë ditëlindja më interesante e Atifete Jahjagës, nëse ato i krahasojmë me ditëlindjet tjera.
Express Rozë ka dashur të dijë më shumë për ndonjë organizim në lidhje me ditëlindjen e Presidentes. Por, stafi i Presidentes si duket i ka ruajtur befasitë për Presidenten, e ndoshta të mërkurën do të tregojnë për dhuratat për të.
Të kontaktuar me telefon disa persona nga stafi i Presidencës nuk kanë dashur të flasin për atë së si do t’ia urojnë Presidentes ditëlindjen, edhe pse thuhet se asaj qysh tash i janë rezervuar befasi të këndshme.
Sipas disa burimeve, përpos dhuratave, pritet edhe organizimi i ndonjë darke.
Ndoshta aty pritet që të marrin pjesë edhe “paria” e vendit.
Njëkohësisht kjo është ditëlindja e parë e Presidentes, kur ajo do t’i hipë makinës me targa 001. Do t’ia mësyjë në mëngjes Presidencës, e ku e dimë me sa buqeta lulesh do ta presin atë sot.
Të imagjinojmë se brenda do të ketë edhe ndonjë verë të bardhë apo të kuqe, ndërkaq kush nga liderët e partive politike do të tregohet me xhentëlmen dhe do ia jap asaj dhuratën më të mirë.
Nëse nuk e keni ditur, Jahjaga, që në krye të shtetit erdhi më 8 prill të këtij muaji, është presidentja më e re në Evropë.
Ajo është një presidente e konsensusit të tri forcave politike në vend, PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, me zgjedhjen e së cilës u shmang një krizë politike në vend.
Me grada të gjenerales, Presidentja në këtë ditëlindje hyn paksa e dorështrënguar për gazetarë, pasi që deri tani nuk ka dhënë asnjë intervistë për mediet, qoftë kosovare apo edhe të huaja.
Në fund, Presidentja e Kosovës përveç shqipes flet edhe anglishten dhe serbishten. Ups! Pak Klishe. Megjithatë, Urime 36 vjetori, Presidente!
Mirënjohje për ditëlindje
Në 36 vjetorin e ditëlindjes, Presidentja Atifete Jahjaga do ta marrë edhe një mirënjohje.
Në orën 10, një delegacion i Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës do të takohet me të dhe do t’ia dorëzojë një mirënjohje për kontributin e saj për avancimin e pozitës së grave.
Po ashtu, Jahjaga do të falënderohet edhe për kontributin që ka dhënë si anëtare e Bordit të Rrjetit…
Në dhjetor të vitit 2010, anëtaret e Rrjetit… nominuan dhe votuan znj. Jahjaga për anëtare të Bordit dhe ajo shërbeu në këtë bord deri në zgjedhjen e saj si Presidente.