E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Cairo 678”

Në edicionin e pestë të Festivalit të Filmit Mesdhetar, i cili përfundoi të shtunën në Split (Kroaci), filmi egjiptian “Cairo 678”, i regjisorit Mohammed Diab, është shpallur fitues në konkurrencën e filmit të metrazhit të gjatë. Filmi trajton temën e keqtrajtimit të fermave në Egjipt.

Në konkurrencën e filmit të shkurtër çmimin e rrëmbeu filmi dokumentar turk “Erdha, Shkova” (I’ve Come and I’m Gone), i regjisorit Metin Adzemir, i cili flet për shitësit rrugorë të Stambollit.

Triumfi i filmit “Cairo 678”, që është një prodhim i vitit 2010, paraqet njëlloj befasie, sepse në konkurrencën e festivalit kishte edhe tituj goxha më të zëshëm, edhe pse, me sa duket, juria synoi që të shpërblente ndonjë film emri i të cilit nuk u përmend shumë në skenën ndërkombëtare.

“Ju falemnderit z. Mohammed Diab që femrat në vendin tuaj i mbështetni në një mënyrë kaq subtile”,u shpreh producenti gjerman Klaus Maeck, i cili ishte pjesë e jurisë profesionale të festivalit në kategorinë e filmit të gjatë, bashkë me aktoren e njohur të dramës kroate, Zoja Odak, dhe historianin e artit, Daniela Rafaelic.

Ndryshe “Cairo 678” është një rrëfim për keqtrajtimin e femrave në Egjiptin modern. Filmi përcjellë jetën e tri femrave që iu përkasin klasave të ndryshme shoqërore në Egjipt. Kështu, Seba është një feministe e pasur që në mënyrë vullnetare udhëheq me një këshillimore për femrat e keqtrajtuara. Nelly është një ‘stand-up’ komediane, të cilës familja dhe burri in saj konformist ia ndalojnë që ta lajmërojë në polici një sulm që i ndodhi në rrugë, përderisa Feyza është një myslimane kontroverse, e cila ka frikë nga udhëtimi me autobus, sepse aty ndjehet e ekspozuar ndaj ngacmimeve të meshkujve. Pra, edhe pse secila nga to – njësoj sikurse edhe shumë bashkëvendëse të tyre – përballet me probleme dhe keqtrajtime të llojllojshme ditore, ato janë të pafuqishme që të shprehin shqetësimet e tyre ose që të ndryshojnë diçka në këtë drejtim.

Në pjesën tjetër të programit filmik, më së shumti me kualitet u imponuan filmat që në Split erdhën nga jashtë Kroacisë. Kështu, sipas mediave kroate, filmi “Cezari Duhet të Vdes”, i vëllezërve Taviani dukej si një realizim joreal për t’u shikuar në një vend ku politika e lartë ka kohë që është “shpërngulur etëm në Remetinec”(Pallati Presidencial i Kroacisë).

Hiti Mesdhetar

Natën e parafundit të Festivalit të Filmit Mesdhetar u shfaq filmi “Jeta nuk Është një Këngë nga Havajet”, i autores Dana Budisavljevic, të cilin publiku splitas e përjetoi si njëlloj ‘ngrohjeje’ para fillimit të paradës së homoseksualëve ‘Split Pride’, e cila në këtë qytet u mbajt vetëm një ditë më vonë. Në natën e fundit të festivalit u shfaq hit-filmi popullit i Mesdheut “Terraferma’, i Emmanuelle Crialese.

Gjatë tetë ditëve të tij, Festivali Filmik i Mesdheut publikut kroat iu prezantua me filma të shumtë mesdhetarë, të cilët nuk mund të shihen si produksione të rregullta në kinema. Në edicionin e sivjetmë të festivalit nuk mori pjesë asnjë film në gjuhën shqipe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›