Sfiduesi i ilirologëve

Megjithëse nuk e ka profesion, profesori i artit figurativ, Shaban Berisha, ka kohë që me arkeologji merret goxha seriozisht. Thotë se për këtë e nxitën pohimet e ilirologëve se paraardhësit tanë nuk lanë pothuajse asgjë të shkruar. Profesori Berisha ndërkohë arriti të gjente dhe të deshifronte disa shkrime të cilat, siç thotë, e vërtetojnë të kundërtën. Express sjell një bisedë interesante me të.
Express: Keni deklaruar se ilirët kanë lënë shkrime. A mund të na argumentoni se ku janë gjetur ato, dhe çfarë shkruhet aty?
Berisha: Pyetja e juaj del nga një shkrim i botuar diku nga 15 marsi i sivjetmë, në portalin shkodran ‘Revista Drini’. Asokohe e informova opinionin me të arriturat e mia gjatë këtyre katër vitesh pune kërkimore, nga viti 2008 e këtej.
Interesimi im për këtë çështje është i kahershëm, që nga fundi i viteve ’70, kur isha në përfundim të studimeve në Akademinë e Arteve, dega e pikturës. Nga literatura që lexoja për ilirët mora informacione të konsiderueshme për jetën dhe kulturën e tyre. Ajo që brengosi gjatë leximit të historisë ilire ishin thëniet e shumë ilirologëve se "fatkeqësisht, ilirët nuk kanë lënë shkrime". Kjo çështje për mua ka qenë preokupim i vazhdueshëm.
Teksti i parë që e deshifrova ishte një mbishkrim ilir, i shkruar në një pllakë guri të zi, të gjetur në rrethinën e Shkodrës. Ishte kjo në janar të vitit 2008.
Teksti i dytë ishte shkruar në një pllakë guri, të gjetur afër Kulinës – ku ndodhej një kështjellë e lashtë, e cila duket se ishte pjesë e një vendbanimi më të madh. Ky objekt ndodhet afër qytetit të Dardanës (Kamenicës).
Këtë tekst e titullova "Pllaka orientuese e Kulinës". Teksti i parë, ai i Shkodrës, ishte një epitaf i shkruar në gjuhën ilire dhe me shkrim ilir – që shkon nga e djathta në të majtë , ndërsa i dyti - po ashtu i shkruar në ilirishte - është një pllakë orientuese për një bujtinë që ndodhej brenda Kulinës.
Teksti i tretë është një pllakë guri, e gjetur baskë me pllakën e dytë, në të cilën në mënyrë relievore është paraqitur pamja e ceremonisë së varrimit të një njeriu ilir. Arrita që të identifikoj emrin dhe mbiemrin e tij, Hollos Ilos ( Hollos i Ilos), që ishte një njeri i krishterë, sepse pranë emrit ishte paraqitur fytyra e ti, me një kryq të vogël. Ishte theksuar edhe mosha e të ndjerit – me katër shenja x. Mirëpo, kjo pjesë e gurit ishte e thyer, kështu që mosha nuk mund të dihet saktësisht, sepse pjesa e thyer e gurit nuk është gjetur. Ky gur/dokument ndodhet në Muzeun e Kosovës.
Dokumente/tekste të tjera kam gjetur në disa lokalitete përreth Dardanës si: në varrezat e Kulinës, në Kopër, Berkoc, Arnic, etj. Kryesisht janë gurë varrezash, por ka edhe objekte tjera. Një numër i tyre mendoj se janë Rune (gurë të punuar, me dimensione të vogla), të cilët janë vendosur mbi varre.
Ju pyesni se çfarë shkruan në to. Në gurët që i gjeta në Kulinë dhe vendet e tjera që i ceka kryesisht shkruan emri dhe mbiemri i të vdekurit, meqë bëhet fjalë për gurë varresh. Veç kësaj, zakonisht shkruan edhe mosha e të vdekurit, dhe sa ka jetuar. Edhe dokumentet etruske kryesisht janë epitafe, por ka edhe shkrime pak më të gjata, ku shprehen dhembja dhe vuajtjet e të gjallëve për të vdekurit e tyre. Te shkrimet etruske ka edhe tregime, fjalë të urta, receta se çka duhet ngrëne për t’u dukur bukur, oferta për shitje mallrash, etj.
Express: Në ç’mënyrë dhe çka keni deshifruar deri më tani?
Berisha: Fillimisht kam mësuar alfabetet e lashta, si ato etruske,fenikase, ilire - me variantet e tij retiane, lepontiane, venete. Më vonë arrita të identifikoj edhe variantin dardan. Duke njohur këto shkrime, arrita të deshifroj edhe mbishkrimet lidiane, midise e frigase - të cilat mund të gjenden në anë të ndryshme të Turqisë Perëndimore. Pasi deshifrova dokumentet/tekste që citova më lartë, një periudhë të konsiderueshme ja kushtova Stellës së Lemnos’it, të cilën e analizova me tepër kujdes. Nga ajo që kam arritur me këtë dokument mund të krenohem. Ky dokument është i gatshëm për botim.
Pastaj, e deshifrova Gurin e Perugias, të cilin e hasa në librin e arvanitasit Niko Stilos, "Historia e Shenjtë e Arvanitasve", me emrin "Guri i kufirit të Perugias". Këtë dokument, në dashtë Zoti, do ta botoj së shpejti.
Gjatë vitit 2011 kryesisht deshifrova mbishkrime etruske, ndërkaq gjatë muajit nëntor dhe dhjetor, arrita të deshifroj tekstin e Mumies së Zagrebit. Me këtë punë mendoj që arrita pjekurinë time në fushën e deshifrimit, ngase ky është një shkrim shumë i gjatë.
Në fillim të 2012’ës arrita të deshifroj disa pjesë të Kodit të Qytetit Gyrtine, një qytet ky i lashtë në veri të Kretës. Atje bëra nja dhjetë sondazhe, dhe arrita të kuptoja se gjuha dorike – me të cilën është shkruar ky dokument - nuk është gjuhe e vjetër greke, siç pohojnë disa studiues perëndimorë, por është vetë gjuha e pellazgëve të lashtë.
Natyrisht, është kjo një punë tepër e lodhshme, që kërkon koncentrim dhe vullnet shumë të madh.
Express: Cilës periudhë i takojnë shkrimet, kryesisht?
Berisha: S’jam ekspert për caktimin e periudhës së saktë të këtyre dokumenteve, por mund të them se janë shumë të vjetra. Vetëm Zoti e di kohën e saktë të tyre. Megjithatë, mendoj se shkrimet ilire dhe etruske i përkasin periudhës para-romake, ndërsa ato pellazge, lidiane, e doriane, mund të jenë shumë më të vjetra.
Express: A jeni konsultuar me ndonjë ekspert të arkeologjisë ose të gjuhësisë lidhur me këto shkrime? Nëse po, cili është reagimi i tyre?
Berisha: Kam biseduar me disa arkeologë, dhe u kam thënë se ka gurë të cilët përmbajnë shkrime ilire, dhe se shkrimet janë shlyer, andaj kërkohet punë që të lexohen. Ata e kanë shikuar me dyshim këtë pune, dhe nuk janë thelluar në këtë çështje, ndoshta për shkak se me sy mund të shihen vetëm diku 20-30 përqind e shkrimit, e pjesën tjetër të punës e kryejnë mjetet e teknologjisë bashkëkohore.
Express: Me çfarë literature jeni konsultuar gjatë të deshifrimit të shkrimeve?
Berisha: Kjo fushë mendoj se është shume pak e lëvruar, andaj edhe ka pak literaturë. Një kohe kam lexuar me kujdes librin e znj. Nermin Vlora "Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët", me ç’rast kam studiuar me vëmendje deshifrimet që ka bërë ajo. Pastaj, nga Zahari Majani kam lexuar librin "Fundi i Misterit Etrusk". E, në internet kam analizuar deshifrimet e Mell Copellandit, me të cilin nuk pajtohem në shumë çështje.
Pjesën më të madhe të punës së deshifrimit e kam bërë - pa dyshim - me ndihmën e Zotit, por dhe falë vullnetin tim të madh për të hedhur dritë mbi misterin e shkrimit ilir. Këtë gjë e pohon edhe znj. Nermin Vlora në librin e saj, kur thotë: “Për të bërë deshifrime duhet një punë e lodhshme, për të cilën, veç tjerash, të duhet edhe përkrahja hyjnore”.