“Hipermarketi patriotik” shqiptaro-serb
Bashkëpunimi i aktorëve shqiptarë dhe serbë në tekstin e përbashkët dramatik të autorëve Milena Bogavac, nga Beogradi, dhe Jetona Nezirajt, nga Prishtina, ka kontribuuar në krijimin e shfaqjes teatrore “Patriotic Hypermarket”, në regji të Dino Mustafic, nga Sarajeva. Kjo shfaqje dygjuhëshe, në shqip dhe në serbisht, bazohet në rrëfimet dhe përjetimet personale jetësore të serbëve dhe të shqiptarëve nga Kosova. Premiera e shfaqjes do të jepet më 3 tetor, në Beograd, në Bitef Teatër, i cili njëkohësisht është edhe bashkë-producent i shfaqjes.
“Ndoshta ka ardhur momenti që arti t’i lidhë njerëzit”, deklaron aktorja shqiptare Ema Andrea, e cila punën në këtë shfaqje para së gjithash e pranoi për shkak të kujtimit ndaj mikut të saj, Bekim Fehmiut, dhe për faktin se ajo do të flas për diçka që është e guximshme dhe humane.
“Me një temë kaq serioze ne mermi në një mënyrë joserioze - nëpërmjet artit”, sqaron kompozitori Vlada Pejkovic.
Ndërkohë, shumica e aktorëve serbë dhe shqiptarë, por edhe e njerëzve të tjerë që punojnë në këtë shfaqje, pajtohen me një gjë, se përmes këtij procesi ata dëshirojnë të vijnë deri te një e vërtetë e tyre personale, e cila lidhet me këtë temë.
“Ne si aktorë duhet që të japim një shembull se si duhet të punohet së bashku”, thekson aktori prishtinas, Kushtrim Hoxha, përderisa aktorja beogradase, Dubravka Kovijanic, shton se është tmerrësisht e rëndësishme që të flitet për këtë temë, por edhe që një numër sa më i madh i njerëzve ta shikojnë shfaqjen.
Përndryshe, shfaqja paraqet vazhdimin e projektit “Shikime: Takimi i historive personale të serbëve dhe shqiptarëve nga Kosova” (Pogledi: Susret ličnih istorija Srba i Albanaca sa Kosova), i cili po realizohet përmes bashkëpunimit të Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe Asociacionit Kulturanova, nga Novi Sadi.
Një ekip gazetarësh kishte intervistuar gjatë verës së vitit 2010 banorët serbë dhe shqiptarë në Kosovë, duke hulumtuar kështu kujtimet e tyre, mënyrën sesi ata e shohin botën tani dhe mendimet e tyre për të ardhmen. Me atë rast nëpërmjet fotografive është shënuar edhe atmosfera autentike e jetës në Kosovë. Ekspozitat e këtyre intervistave dhe të fotografive nga jeta e popullatës kosovare, me titull “Shikime: Takimi i historive personale të serbëve dhe shqiptarëve nga Kosova”, janë shfaqur në Novi Sad dhe Prishtinë, në vitin 2010. Ato kishin për qëllim që të tregonin shkëmbimin e rrëfimeve jetësore të njerëzve që u intervistuan në mënyrë anonime, me qëllim që pastaj të mundësohej një kuptim më i mirë i jetës së serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.
Në bazë të intervistave të mbledhura, dhe sipas tekstit të përbashkët dramatik të Milena Bogavac dhe Jeton Nezirajt, kjo shfaqje bilinguale teatrore me karakter dokumentar, regjinë e së cilës e mori përsipër Dino Mustafic, do të tentojë t’i prezantojë raportet mes shqiptarëve dhe serbëve nga Kosova, por edhe ngjashmëritë dhe dallimet mes tyre. e-Novine