“Kromozomet” e Krenares
Disenjerja e modës Krenare Rugova organizon, më 14 prill, fashion show-n e saj të parë në Kosovë. Prezantimi i saj me koleksionin e quajtur “Kromozomet” (Chromosomes) do të bëhet në ambient të hapur, në qendër të qytetit, sheshin/amfiteatrin e bustit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kanë bërë të ditur organizatorët.
Sipas tyre, kjo ngjarje e madhe, që kalon përmasat tradicionale të fashion shoë, duke u kthyer në ngjarje kulturore të vitit, do të jetë prezantimi i parë i punës shumëvjeçare të kreatores Rugova. Me formën e saj unike të shprehjes së kreativitetit artistik, si dhe me eksperiencën profesionale, Krenare Rugova ka arritur që me brendin e saj (KR), të jetë fashion ikona kosovare që ka fituar respekt edhe në qendrat prestigjioze të modës, si në Paris dhe New York.
Krenare Rugova me këtë koleksion i rikthehet punëve të para të shkollimit, duke i pasuruar me elementet autentike të përkatësisë së saj shqiptare, duke treguar se njëkohësisht mund të tregosh dashurinë për vendin tënd, si dhe të jesh bashkëkohore dhe në hap me fashion-trendet e shekullit XXI.
E përkushtuar që në çdo aspekt të jetë unike ne stilin e kreacioneve të saj, në vijë me temën e sfilatës, Krenare Rugova ka zgjedhur që lokacioni i prezantimit të këtij koleksionit unik - Fashion Eventit - të bëhet tek amfiteatri i figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Me ndihmën e përkrahësve dhe bashkëpunëtorëve, KR është duke përgatitur një performansë jokonvencionale për skenat e fashion cat-walk–ut te ne, si nga aspekti i pamjeve vizuale, performansës VJ, zërimit dhe live DJ me një glamour after party.
Lajtmotivi i Krenare Rugovës se “moda është një formë e shprehjes së lirë” (Fashion is a form of free speech) më së miri përmblidhet në këtë ngjarje, deri më tani më të madhen nga industria e modës në Kosovë.
Rugova është e lindur ne Prishtinë. Mësimet e shkollës së mesme i ka përfunduar në Portland, Maine, SHBA. Duke vazhduar universitetin me renome të madhe në fushën e modës “Parsons School of Design” NewYork dhe Paris.
Krahas zhvillimeve në trendin e modes, KR vendosi të kontribuojë edhe në kulturën e modës në Kosovë, duke hapur atele në Prishtinë më 2003, me të cilën gëzon një reputacion të mirë në bazë të qëndrueshme të klientëve për punën profesionale dhe pasionin e saj ndaj modes. Për krijimet dhe suksesin e Rugovës me etiketën ”Made in Kosova” janë publikuar shkrime dhe storie të ndryshme nëpër media ndërkombëtare si CNN, EuroNews, Arté-Frances, FoxNews, CBS, Deutsche-Welle, ZDF, New York Times, Herald-Tribunal, Associate Press, B92-Belegrade dhe të gjitha mediat lokale.
Përveç interesimit medial, puna profesionale e saj ka zgjuar interesim edhe për shtëpitë e modës europiane.
Disa nga punët e Rugovës
Konsulente dhe disenjere e uniformës së PTK’së.
Krijimi dhe disenjimi i veshjes së Gardës Ceremoniale të FSK’së.
Konsulente dhe disenjere e veshjes për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Kostumografe në filmin e regjisorit Isa Qosja “Kukumi” etj.