E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Bronksi në Kosovë

Shkrimtari shqiptar Fron Nahzi promovoi librin e tij me tregime “Midis Bronksit dhe Ballkanit”, tregime këto të cilat autori i ka shkruar në anglisht, ndërsa janë përkthyer dhe botuar nga shtëpia botuese ‘Dudaj’. I pranishëm në promovim qe edhe vet autori. Nga Alfred Beka më 04 prill 2011 në ora 12:53

“Midis Bronksit dhe Ballkanit” titullohet libri i shkrimtarit shqiptar, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fron Nahzi, i përkthyer në shqip nga Idlir Hoxha dhe i botuar nga shtëpia botuese ‘Dudaj’, promovimi i të cilit u mbajt të shtunën mbrëma në librarinë Dit’ e Nat’ në Prishtinë. Të pranishëm në promovim qenë edhe autori Nahzi si dhe botuesja Arlinda Dudaj.

Me këtë rast, botuesja Dudaj u shpreh se fillimisht e ka njohur letërsinë e Fronit e pastaj Fronin vet. Ajo tha gjithashtu se ka kënaqësinë e veçantë të jetë botuesja dhe njëkohësisht edhe lexuesja e këtij autori.

“Si lexuese do të thosha që tregimet e Fronit, letërsia e Fronit në çastin që e lexon të jep ndjesinë sikur sheh filmat e Çaplinit, sepse në fund fare qesh dhe qan njëkohësisht. Gjithashtu në letërsinë e tij e njoh lehtësinë e papërballueshme të cinikut romantik. Si botuese jam gjithashtu e kënaqur që të sjell këtu shkrimtarin Fron Nahzi”, tha Dudaj.

Ndërkaq, kritiku letrar Artan Puto, megjithëse e ka njohur Fronin përpara shkrimeve të tij, është i mendimit se do të ishte më e lehtë të flasësh për një njeri dhe për veprën e tij kur ke një distancë. “Unë me Fronin s’kam distancë fare sepse jam gjithmonë në kontakt me të edhe kur s’jemi fizikisht të pranishëm, kështu që e kam pak të vështirë. Do kujtoj që kur më tha idenë e tij për të botuar shkrimet e tij në Tiranë, e pyeta sa faqe është ai libri yt e ai më tha 120 faqe. Unë i thash qenka shumë pak. Ai ma ktheu pse duhet të jetë libri kaq i madh. I thash ne për shembull e kemi vlerësuar rëndësinë e librave nga vëllimi i tyre. Këto shkrime për mendimin tim kanë një cilësi që unë e vlerësoj shumë siç është humori dhe autoironia e këtyre shkrimeve”, tha Puto. Sipas tij, Nahzi çdo gjeje i qaset me këto dy mjete dhe kësisoj këto shkrime janë shumë të veçanta.

“Ne jemi të mësuar ndoshta të lexojmë gjithmonë një letërsi patetike romantike, por ky autor përdor këto mjete për të njohur atë copë territori që ne e quajmë mëmëdhe. Pra, është, si të thuash, një përpjekje e vazhdueshme për ta njohur, ndërkohë që ne jemi mësuar që t’i bëjmë deklarata dashurie ‘atdheut’ dhe në të vërtet e dimë se sa shumë e duam atë. Pra humori dhe autoironia e këtij libri ndoshta do të na bëjnë edhe neve që ta njohim më tepër vendin dhe vetën tonë”, u shpreh Puto.

Vet autori Nahzi tha se ideja për përkthimin e librit ka qenë e hershme. Ndërsa për përkthimin e tregimeve të tij në shqip, Nahzi tha se Idlir Hoxha e ka përkthyer librin shkëlqyeshëm. Ai gjithashtu e falënderoi edhe publicistin Fatos Lubonja, i cili e ka bërë parathënien. Ai vazhdoi të tregojë për peripecitë e tij kur për herë të parë kishte shkuar në Tiranë.

“Midis Bronksit dhe Ballkanit ka qenë Kosova. Herën e parë kur kam shkuar në Tiranë, jam takuar në atë kohë me ata tironsit, ata nuk e kuptonin shqipen time dhe as unë shqipen e tyre dhe për fat e takova Ali Aliun dhe u kënaqa shumë pasi që ishte hera e parë që e ndjeva vetën se mund të flisja shqip sepse gjithë kohën flisja anglisht”, tregoi Nahzi.

Në vazhdim, të pranishmit diskutuan lidhur me tregimet e Nahzit. Gazetari Nebi Qena para se ta lexonte një tregim të Nahzit, tha se “Froni është njeriu i vetëm që e njoh, i cili e ka ndërruar emrin nga Fran në Fron dhe mbiemrin nga Nazi në Nahzi”.

Ndërkaq, publicisti Shkëlzen Maliqi tregoi se këtë libër e ka lexuar shumë kohë më parë në anglisht. “Unë kam menduar se libri do të botohet në gjuhën tënde, d.m.th. në gegnisht”, iu drejtua autorit.

“E kam edhe librin e dytë, të cilin jam i gatshëm ta botoj në gegnisht”, ishte përgjigja e Nahzit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›