E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mylo Xyloto” bëhet strip

Po qe se deri më tani nuk e keni ditur se çfarë domethënie ka emri i albumit “Mylo Xyloto”, i grupit Coldplay, ndoshta stripi të cilin grupi planifikon ta publikojë do t’ju ndihmojë që ta deshifroni.

Grupi Coldplay albumin e pestë muzikor do ta shndërrojë në strip.

Stripi i inspiruar nga këngët e albumit "Mylo Xyloto" do të dalë në shitje në shkurt të vitit të ardhshëm, dhe rrëfimet në të do të shkruhen nga skenaristi i filmit të animuar “Kung Fu Panda”, Mark Osborne.

Sipas Osborne, stripi, të cilin ai dhe grupi kanë filluar ta punojnë disa vite më parë, është “mënyra më e re për shfaqjen e filmit të animuar të inspiruar nga muzika”.

"Kryepersonazhi i stripit është Silencer, një banor i ri i botës së quajtur Silencia, i cili rreshtohet në vijën e parë të frontit në betejën kundër ngjyrës dhe tingullit”, sqaron Osborne.

Anëtarët e grupit Coldplay kanë bërë të ditur se ndjehen krenarë që kanë rastin të paralajmërojnë daljen e stripit, që do të ketë gjashtë vazhdime.

Momentalisht Coldplay ndodhet në turne nëpër Amerikën Veriore. Më 9 shtator grupi do të interpretojë në mbyllje të Lojërave Olimpike, ndërsa në nëntor nis turneun në Australi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›