E Diel, 1 Nëntor 2026

“Përgjuesi”, udhëpërshkrim i jetës së Mikullovcit

Adem Mikullovci kësaj radhe erdhi me një zhanër, pak të eksploruar në Kosovë, me një ‘Stand up’ komedi. “Përgjuesi” u shfaq të enjten, duke qenë shfaqja e parë në Skenën e Vogël të sapo hapur të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndonëse reprizat në TKK vazhdojnë. Nga Albana S. Muja më 14 shkurt 2011 në ora 16:00

Aktori i mirënjohur kosovar, pas një kohë të gjatë, u rikthye në skenë, dhe siç thotë ai, do të jetë në teatër për aq sa do ta ketë shëndetin. Adem Mikullovci u shfaq në TKK, me një zhanër të parë pak ose aspak në skenën tonë. Ai tha që rikthimi i tij në teatër me këtë ‘Stand up’ komedi ishte i rastësishëm.

Në këtë lloj të komedisë nuk ka vetëm tallje dhe humor, por aktori ka gërshetuar këto, duke udhëtuar nëpër valët e jetës së tij. Dhe kjo formë ka përparësitë, ngase, siç thotë ai, secila reprizë e shfaqjes “Përgjuesi” do të ndryshohet nga premiera, sepse do të rishikohet për momente tjera nga kujtesa dhe përditshmëria e tij. “Lirisht mund të them që çdo premierë e ‘Përgjuesit’ do të jetë, në njëfarë mënyre, premierë e re”.

Express sjellë intervistën me Adem Mikullovcin, pas premierës së komedisë “Përgjuesi”, e cila do të jetë në repertor të TKK-së deri më 23 shkurt. Mikullovci, përveç komedisë, flet edhe rreth planeve dhe dëshirave të tij.

Express: Pas shumë viteve jeni kthyer në teatër, përse pikërisht me këtë zhanër?
Mikullovci: Vendosa të kthehem përsëri në teatrin tim, të luaj edhe në ndonjë shfaqje, për aq sa të kem shëndet. Erdha me këtë shfaqje sepse kështu rastisi. Me këtë shfaqje, drejtori artistik i TKK-së, Jeton Neziraj, më dërgoi në festivalin e ‘Stand up’ komedive në Maribor të Sllovenisë, ku kalova shumë mirë. Shfaqja ime u prit aq mirë sa që më propozuan të luaj prapë, nuk pranova sepse nuk isha mirë me shëndet dhe u ktheva në Prishtinë. Pastaj, Neziraj, bashkë me drejtoreshën e TKK-së, Burbuqe Berisha, më propozuan që këtë komedi ta luaj edhe në skenën e vogël. Pranova dhe kalova shumë mirë, publiku më priti jashtëzakonisht mirë dhe do të vazhdoj të luaj edhe më tutje, sa të këtë shikues.

Express: ‘Stand up’ komeditë zakonisht fokusohen në aktualitet, ndonëse ju futët përjetime të jetës suaj?

Mikullovci: Shfaqja “Përgjuesi” është kujtesë, memoriet e mia dhe këndvështrimi im në përditshmërinë tonë, por “Përgjuesi” është edhe udhëpërshkrim i jetës sime, por më tepër shikuar nga ana groteske dhe humoristike. Gabim e kanë ata që mendojnë që në këtë lloj teatri duhet folur vetëm për të tanishmen e posaçërisht është gabim se kjo lloj performance duhet të ketë sa më shumë humor. Përkundrazi, kjo lloj komedie duhet të jetë e gërshetuar në jetën private të vet interpretuesit, por edhe të gërshetohet me aktualitet. Si në mahi, thuhet që kjo lloj komedie është edhe një si postmortum i një aktori të moshuar, i cili ka ardhur në fund të rrugës së vet.

Express: Ka një kohë të gjatë që keni dalë nga politika, në premierë të “Përgjuesit” sikur u kthyet me disa batuta?

Mikullovci: Isha deputet i Kuvendit të famshëm të 2 korrikut dhe Kushtetutës së Kaçanikut, por nuk do të thoja se jam marrë me politikë. Në ato momente kur i preka ‘vetëm pak’ politikanët dhe politikën e ditës, kjo ishte vetëm pjesë e asaj periudhe kur unë flas për përditshmërinë tonë dhe nuk kam se si t’i shmangem, sepse mirë thotë prof. Rexhep Qosja ‘unë nuk merrem me politikë, por politika po merret me mua’. Komedia ime nuk është vetëm tallje dhe mahi me përditshmërinë tonë, por më tepër ka të bëjë me jetën time dhe sa ka humor gati po aq ka edhe dramë dhe emocione për të gjitha ato që kam përjetuar dhe që po përjetoj dita-ditës. Jeta jonë është e gërshetuar me gëzim dhe lot dhe unë jam munduar që edhe shfaqja ime të jetë e tillë.

Express: Gjatë batutave në komedi, doli që anon nga politika e Vetëvendosjes apo jo?
Mikullovci: Jo! Nuk kam dashur që të dukem se “ia mbaj anën” Vetëvendosjes apo cilësdo parti. Mirëpo, kur propozova ekipin, i cili do të përfaqësojë Kosovën në biseda me Serbinë, ka rastisë që dy kandidatët e mi të jenë të Vetëvendosjes. Unë vërtet mendoj që delegacion më të mirë për këto biseda se: Adem Demaçi, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca nuk mund të gjejmë, dhe vaj halli kur të shohim se kush do të jetë në ato biseda dhe vaj halli çfarë rezultati do të na sjellin. Mbes me bindjen se vetëm ‘delegatët’ e mi janë njerëz të cilët në asnjë variant nuk do ta shesin Kosovën dhe trojet e saj.

Express: Në fund të shfaqjes, ajo që e thatë, sikur asocioi në shkëputjen tuaj nga teatri apo edhe nga...?

Mikullovci: Fundi i shfaqjes nuk duhet të zgjojë asociacion për ndarjen time nga teatri por duhet të jetë asociacion për ndarjen time nga kjo jetë. Është e qartë se unë dita-ditës po i afrohem vdekjes dhe ky është një fund i natyrshëm i jetës sime apo jo!
Express: A do të jeni në ndonjë projekt tjetër pas këtij dhe a jeni duke punuar diçka tjetër?

Mikullovci: Pas kësaj shfaqje nuk e di se a do të kem rast tjetër apo ky është fundi. Kam plane, kam skenar, kam drama të bukura, por a do t’i realizoj ndonjërën nga to kjo nuk varet nga unë por nga shumë faktorë e gjithsesi edhe prej shëndetit tim. Do të doja që të kem kohë që të realizoj një telenovelë prej dhjetë episodeve, për të cilën skenarin e kam shkruar, por nuk e di a do të më mundësohet realizimi i saj apo jo!

Fjala është për një TV-serial, dramë me shumë emocione (ndoshta më e fortë se sa seriali “Zogjtë e luftës” dhe besoj që do të kishte jehonë të fuqishme te shikuesit e Tv-ekraneve, por …!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›