“Përparon” Serbia

As gjysma e elektoratit serbë nuk kishte dalë në votime kur Kryesuesi i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso ia uroj kreut të Partisë progresive serbe, Tomislav Nikolic fitoren e postit presidencial.
E, çuditërisht në fund të ditës së diel, rezultoi që serbët ndajnë të njëjtin mendim me Barroson. Ata ia besuan shtetin e tyre Nikolicit me 49.9 për qind të votave, me të cilat u mposht Boris Tadic. Por, as ky i fundit nuk hezitoi t’ia uroj fitoren kundërshtarit të tij.
“Kjo ishte një fitore fer dhe e merituar. I dëshiroj fat”, ka thënë Tadic pas publikimit të rezultateve preliminare,duke pranuar kështu disfatën e tij në garën për të rimarrë pushtetin për edhe një mandat të ri.
Serbët nuk e ndanë të dielën të njëjtën preferencë me bashkësinë europiane, duke mos e votuar Boris Tadicin për Presidentin e tyre. Po pavarësisht se ia dhanë votën, nuk besojnë se ardhja e Nikolciit në vend të Tadic do të sjellë ndryshime.
Njëri ndër këta skeptikët është edhe Zoran Stamenkovic nga Gracanica, i cili i tha Express’it se qeveria serbe dhe pushteti i deritanishëm në Beograd e ka lënë të pashpresë.
”As ne në Kosovë e as ata në Serbi nuk janë të kënaqur me pushtetin, sepse nuk po bëjnë asgjë për neve, shiko fabrikat nuk po punojnë më dhe ne jemi të papunë e madje edhe të pashpresë”, ka thënë Stamenkovic. Por, prapëseprapë votoi të dielën për të kryer, siç tha, obligimin qytetar.
“Thjeshtë e kreva obligimin tim”, ka thënë Stamenkovic.
Sikurse ky i fundit, dolën edhe bashkëkombës të tij, që sipas të dhënave të misionit të OSBE’së si lehtësues i zgjedhjeve serbe në Kosovë, kanë qenë 11 për qind të votuesve.
I njëjti mision kishte hapur 90 vendvotime në tërë Kosovën qysh në orët e hershme të mëngjesit. Ndërkohë që nuk munguan as vizitat e zyrtarëve ndërkombëtare në ato pika.
Madje, dikujt i ra ndërmend që të përcjellë edhe një mesazh tek autoritetet vendore dhe ndërkombëtare.
Ambasadori francez, Jan Fransua Fitou kërkoi që të gjendet një vizion për veriun. E për këtë tha se duhet më shumë punë e më pak fjalë nga të dyja palët, si ajo kosovare edhe nga ajo serbe.
“Mendoj se sa më shumë që flasin, aq më shumë do të rrezikojnë veç të vazhdojnë të flasim. Ajo që tha BE-ja para gjashtë muajve dhe që është shumë e rëndësishme, është se duhet të ketë një vizion për veriun dhe jo shumë biseda dhe jo fjalë, sepse të gjithë po flasin si vendoret ashtu dhe ndërkombëtarët. Unë mendoj se sa më shumë po flasim, thjeshtë po bëjmë më shumë presion në njerëz”, ka thënë Fitou gjatë vizitës së përbashkët në Gracanicë me shefin e misionit të OSBE’së, Verner Almhofer. Ky i fundit e ka cilësuar mbarëvajtjen e raundit të dytë zgjedhor për Presidentin serbë në Kosovë, si të suksesshëm dhe pa incidente. “Kam kënaqësinë të raportoj për hapjen me kohë të të gjitha vendvotimeve këtë mëngjes”, ka thënë Almhofer.
Ndryshe, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale serbe ishte mbajtur më 6 maj të këtij viti duke nxjerrë në balotazh Boris Tadic dhe Tomislav Nikolic. Ky i fundit doli fitues me shumicën e votave elektorale.
Nikolic njihet si nacionalist radikal, dhe më pak i favorizuar nga bashkësia ndërkombëtare, por nuk ndryshon shumë karshi Kosovës.
Për më tepër në debatet publike të cilat i kishte zhvilluar me Tadic gjatë fushatës kishte thënë se nuk do ta lëshojë asnjëherë Kosovën.