ISKP: Përzgjedhja e gjyqtarëve - e politizuar

Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare (ISKP) ka prezantuar studimin analitik me titull “Procesi i Zgjedhjes (Emërimit) të Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Kosovës”. Të gjeturat kryesore të analizës që ISKP i ka bërë këtij procesi, me theks të veçantë infrastrukturës Kushtetuese dhe Ligjore janë:
ISKP ka gjetur se Komisioni përkatës i Kuvendit të Kosovës që bën përzgjedhjen dhe rekomandimin e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese është në kundërshtim me praktikat e vendeve demokratike dhe këtë proces e lë nën hijen e ndikimeve politike. Përbërja e Komisionit përkatës dominohet kryesisht nga Kryetarët e Grupeve Parlamentare të Kuvendit të Kosovës, thuhet në një komunikatë për media të këtij Instituti.
Nga gjithsejtë 12 anëtarë të Komisionit, shtatë prej tyre janë përfaqësues të partive politike, njëherësh kryetar të Grupeve Parlamentare, të cilët dominojnë procesin e votimit në këtë Komision. Rrjedhimisht, kjo rezulton me një proces, i cili detyrimisht imponon marrëveshje ose koalicione politike për përzgjedhjen e kandidatëve të caktuar për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, sidomos kur kihet parasysh fakti se për rekomandimin e kandidatëve tek Presidenti duhen votat e 2/3 të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë.
Problem tjetër rreth politizimit të këtij procesi është fakti se kryetarët e Grupeve Parlamentare kanë të drejtë të votimit të dyfishtë. Kjo ngase të njëjtit votojnë në Komisionin, i cili bën rekomandimin e kandidatëve për gjyqtarë në Kuvend dhe po ashtu votojnë gjatë seancës plenare me rastin e përzgjedhjes së kandidatëve për dekretim tek Presidenti i Republikës së Kosovës.
Procesi i zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues në Gjykatën Kushtetuese në mënyrën sesi ka rrjedhur ka qenë jo transparentë, për shkak se Komisioni që bën rekomandimin e kandidatëve për gjyqtarë nuk ka ofruar qasje për të gjitha grupet tjera të interesit siç janë shoqëria civile, mediat dhe opinioni i gjerë.