“Prilli i Thyer” në mesin e 100 librave më të mirë

Ekspertët austriakë, me kryeredaktoren e Bibliotekës Nacionale, Johanna Rachinger, për çdo javë japin sqarime për veprën dhe autorin e njërit prej tyre, ku mes “Ujkut të Stepës” të Herman Hesses, “100 vjet vetmi” të Gabriel Garcia Marquezit, “Plakut dhe Detit” të Ernest Hemingwayt, spikat edhe vepra e Kadaresë, njofton Fitim Dika.
Në shpjegimin që i bëhet autorit dhe veprës, theksohet jeta kulturore e shqiptare e veriut dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, si dhe forca stilistike e autorit për ta shfaqur këtë zakon të vjetër në një vepër.
Po ashtu theksohet se vepra që e bëri autorin të famshëm është “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por romani më i mirë i tij mbetet pa diskutim “Prilli i Thyer”. Gjithashtu, vihet në pah se edhe pas rënies së diktaturës dhe në vitet e fundit, shkrimtari shqiptar ka shkruar romane me vlerë, mes të cilëve vlerësohet sidomos “Aksidenti”.
Vlen të përmendet se disa shkrimtarë që kanë marrë çmimin Nobel për letërsi nuk gjenden në mesin e 100 veprave më të mira të 100 vjetëve të fundit.