“Skënderbeu” amerikan

Fillimisht ishte një aktor i ish-Bashkimit Sovjetik, e tani është një amerikan. Duket se heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu e ka ‘të shkruar’ që në skenë gjithmonë të interpretohet nga dikush i huaj. Edhe këtë herë, në njërën prej rivënieve më të rëndësishme në Teatrin e Operës dhe Baletit, në operën “Skënderbeu”, të Prek Jakovës, protagonist kryesor është tenori amerikan, Roy Stevens.
Stevens u zgjodh shkaku i fuqisë së vokalit, e mbase edhe ngjashmërisë, edhe pse do të ndihmohet nga grimi. Ai është i pari tenor i huaj që do të këndoj në gjuhën shqipe në skenën e Teatrit të Operës në Tiranë.
Stevens thotë se ka studiuar shumë për Skënderbeun dhe për veprën, megjithëse i është dashur që gjithë tekstin ta mësojë përmendesh, sepse nuk kupton asnjë fjalë në shqip. Veç kësaj, tenorit amerikan i është dashur që të mësojë edhe sesi ngitet kali me një dorë. Kjo, ngase, siç thotë, "Skënderbeu" nuk është vetëm një rol kryesor në një operë të madhe, por edhe një figurë e madhe kombëtare.
"E dashuroj idenë e interpretimit të Skënderbeut. Ky nuk është vetëm një rol opere, por një figurë kombëtare, një njeri i veshur me qëndrim politik e ushtarak - thjesht një hero kombëtar. Opera për mua është një sfidë, por ky rol është edhe më shumë se kaq", shprehet tenori Stevens.
Ai pranon se pjesa më e rëndë për të ishte shqiptimi i fjalëve, të cilën gjë po e përgatit tash e dy vite, prej kur edhe është njohur me muzikën dhe libretin.
"Nuk është e lehtë të këndosh në një gjuhë të huaj. Fillimisht i kërkova kolegut tim, Erlind Zeraliut, që të shqiptonte secilën fjalë të rolit tim, e pastaj e kërkova kuptimin e çdo fjale dhe fillova punën në ushtrimin e muskujve të nofullës për t'i shqiptuar ato si duhet. Kur artistët tjerë morën vesh se do ta interpretoja ‘Skënderbeun’ ishin skeptik, megjithëse kur e panë provën e parë, u çuditën", tregon Stevens.
Nga ana tjetër, as të kënduarit mbi një kalë të vërtetë nuk ishte nj gjë e lehtë për t’u bërë. Edhe për këtë Stevens është dashur të ushtrohet.
"Nuk kam hipur asnjëherë mbi një kalë në skenë. Përveçqë do të më duhet të këndoj dhe interpretoj, më duhet që edhe kalin ta ngas vetëm me një dorë, sepse në tjetrën duhet të mbaj shpatën", shprehet tenori.
Amerikani 54-vjeçar ka realizuar disa nga personazhet më të njohura të operës botërore. Njësoj sikurse edhe gruaja e tij, ai tashmë është mësuar që, përveç anglishtes, të këndojë edhe në gjuhë të tjera.
Ndryshe, opera “Skënderbeu”do të jetë një megaproduksion i Teatrit të Operës, meqë vepra - premiera e së cilës do të jepet më 18 qershor - po rikthehet në skenë pas 40 viteve dhe ka një kast prej 200 artistësh.