Djali i NATO’s
Familja Azemi nga Prishtina natën e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe nuk e mban mend vetëm si ditë historike për shqiptarët. Kjo familje atë natë përjetoi edhe një gëzim tjetër, lindjen e një fëmije.
Blendon Azemi të enjten festoi ditëlindjen e 12’të. Ai lindi vetëm një orë para ngjarjes së madhe historike, që i hapi rrugë çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe.
Tash bashkë me ta feston edhe Blendoni, i cili e di mirë se përveç ditëlindjes së tij, e feston në njëfarë mënyre edhe ditëlindjen e lirisë së shtetit të tij. Blendoni thotë se shpesh e lexon në libra të shkollës të flitet për ditën kur ai ka lindur. “Kur kam qenë më i vogël, nuk e kuptoja pse data ime e lindjes ndodhet nëpër libra. Por, tash kur po rritem, po filloj ta kuptoj se sa rëndësi ka kjo datë për mua”, thotë Blendoni për Express.
Megjithatë, ai të enjten është uruar nga shokët e shoqet e klasës vetëm për ditëlindje. “Njëjtë si unë që nuk kam shumë ide për intervenimin e NATO-s, as shokët e mi nuk dinë shumë për këtë ditë, sepse jemi akoma fëmijë”, tregon ai.
Por, është nëna e tij, Shemsia, ajo e cila mban mend në detaje ditën kur i lindi i biri. Ajo thotë se ndihet me fat që ka sjellë në jetë një djalë pikërisht në ditën kur është vendosur fati për Kosovën. “Jam e lumtur që bëra një fëmijë në kohë pa kohë, e tash po rritet në liri”, thotë Shemsie për Express.
Duke rrëfyer të gjithë arratisjen e saj me djalin e vogël në duar drejt kufirit me Maqedoninë, Shemsia mban mend se kudo që ka shkuar, ka pasur përparësi pikërisht me koincidencën e datëlindjes së të birit. “Kam lindur në objektin e shoqatës ‘Nëna Terezë’, e prej aty bashkë me familjen e me djalin e porsalindur jemi nis drejt Maqedonisë”, kujton ajo. “Sapo shkuam atje, falë djalit tim e kaluam kufirin dhe na morën e na quan drejt e në Gjermani”, thotë Shemsia.
E gjithë ngjarja, që fillon me rëndësinë e datës kur lindi Blendoni, nis në Gjermani. Me të arritur atje, familja Azemi pati rastin të takohet në atë kohë presidentin e SHBA-ve, Bill Clinton. Shemsia thotë se takimi me kreun e shtetit amerikan i është mundësuar falë historisë që ajo i kishte rrëfyer një gazete gjermane. “Të gjithë e kuptuan që unë e kisha lindur Blendonin pikërisht në ditën kur NATO intervenoi në Kosovë. Të gjitha gazetat gjermane ishin mbushur me rrëfime e fotografi të mia e të djalit”, kujton ajo, teksa i mban si kujtim dhe i ruan me fanatizëm të gjitha faqet e gazetave të asaj kohe.
Përveç familjarëve, në njërën fotografi të gazetës dukej Shemsia me djalin e vogël në duar, e në krahun e saj të djathtë ish- presidenti Clinton. Ajo thotë se këtë çast nuk do ta harrojë kurrë. “E mbaj mend si sot kur ai i vuri dorën te koka djalit dhe i dolën lotët. Në atë moment nuk pash asgjë tjetër përveç blicit të aparateve që shkrepnin gjithkah”, tregon Shemsia.
Tash, sa herë që dëgjon lajme që kanë të bëjnë me ish presidentin Clinton, rrëqethet e tëra. “Ky mbetet një kujtim i mirë falë djalit tim, i cili tash është rrit e po bëhet burrë”, pohon ajo, teksa përkëdhel kokën e Blendonit njëjtë sikurse atëkohë presidenti Bill Clinton.
Ngjarje historike
Presidenti Behgjet Pacolli ka thënë se 24 marsi 1999 ishte ngjarje e madhe historike, që i hapi rrugë çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.
“Në këtë ditë, ne qytetarët e Kosovës me dhimbje kujtojmë të gjitha viktimat civile që pësuan si pasojë e fushatës së terrorit të egër të Milosheviqit dhe bashkëndiejmë me vuajtjet e familjareve që ende sot e kësaj dite kërkojnë të zhdukurit e më të dashurit e tyre. Me gjithë dhimbjet e mëdha që lufta i shkaktoi Kosovës, kjo ditë simbolizon kthesën e madhe për vendin tonë drejt rrugës së paqes dhe prosperitetit”, thuhet në një deklaratë të tij.
Marsi i ’98-tës solli NATO’n
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha në Gllogjan të Deçanit, në shënimin e 13-vjetorit të epopesë së UÇK-së në Dukagjin dhe 12-vjetorit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, se luftëtarët e UÇK-së luftuan për të lënë prapa robërinë, vuajtjet, burgjet që e përcollën shumë kohë popullin tonë. Në këtë manifestim morën pjesë përfaqësues të institucioneve, partive politike, shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, familjeve të dëshmorëve dhe mijëra qytetarë. “Këto dy ngjarje në dukje të parë duken si koincidencë, por në fakt marsi i 1999-ës i NATO-s nuk do të ndodhte pa marsin e ‘98-ës të shqiptarëve’”, tha Krasniqi.
Buhler: E ardhme paqësore
Në 12-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë serbe, komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler ka thënë se Kosova dhe Ballkani Perëndimor kanë një të ardhme paqësore dhe prosperuese evropiane. “Është me rëndësi të përkujtojmë të gjitha viktimat e luftës tragjike para dymbëdhjetë vjetësh. Megjithatë mesazhi më i rëndësishëm i kësaj dite është se të gjithë qytetarët e të gjitha etnive, religjioneve dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare duhet të punojnë shumë në mënyrë që ta shtrojnë rrugën drejt një të ardhmeje pozitive, paqësore dhe prosperuese në Evropë”, ka thënë Buhler. Për më tepër, ai ka theksuar se 24 marsi duhet të jetë një ditë e refuzimit të dhunës dhe jo tolerancës, dhe se duhet të jetë një ditë e pajtimit dhe heshtjes komemorative.
Ditë vendimtare
Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, 24 marsin 1999 e ka quajtur ditë vendimtare. “Ajo ditë ishte vendimtare për popullin e Kosovës dhe për largimin e forcave serbe nga Kosova. Falë luftës së UÇK-së, mobilizimit të popullit tonë dhe intervenimit të forcave të vendeve tuaja, Kosova sot është shtet i pavarur”, tha ai pas një takimi me komandantin e KFOR- it, Erhard Buhler.
S’është harruar lufta e marsit
Nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, në tubimin në Gllogjan tha se janë mbledhur për të dëshmuar se nuk është harruar lufta e madhe e marsit. Në këtë tubim, Kuvendi Komunal i Deçanit nderoi me çmimin “Qytetar nderi” dhe me dekoratën “Shkëlzen Haradinaj”, ambasadorin e Norvegjisë në Prishtinë, Sverre Johan Kvale.