”Nata e Helverit” në TKK
Teatri Kombëtar i Kosovës, duke lënë mbrapa pushimin dhe ditët e nxehta, tashmë po nis punën, duke sjellë kështu një premierë të re. Data 5 e muajit shtator, do të sjellë ‘Natën e Helverit’ në orën 20:00 në TKK. Për t’u njoftuar më shumë rreth shfaqjes ”Nata e Helverit” në regji të Altin Bashës, me tekst të dramaturgut polak Igmar Villcist , ekipi i shfaqjes sot (e diele) në orën 12:00, do të mbajë konferencë për media.
Tërmeti social i Luftës së Dytë Botërore mbetet edhe sot ‘kujtesa e erret’ e njerëzimit.
Çmenduria e asaj periudhe historike është e atyre përmasave sa që shpesh njerëzimit i kthehet e i rikthehet si një frikë e brendshme, po thuaj e pabesueshme, pasi që, ndofta nuk dëshiron ta ‘takojë’ e ta njohë vetveten sipas modelit makabër të asaj kohe.
Lufta e Dytë Botërore për shkaqe të kuptueshme është bërë shpesh objekt i letërsisë, dramës, teatrit apo kinemasë, por ”Nata e Helverit” e gjeti vendin e saj në këtë galeri veprash falë thurjes dhe mënyrës së trajtimit të kësaj tematologjie. Për aq, edhe përkthimi mjeshtëror i Leonard Zisi-t nga origjinali e sjell shumë afër dramën dhe emocionin që bart ajo.
Në fakt, dramaturgu polak Igmar Villcist, ka shkruar një vepër dramatike me mesazhe që reflektojnë edhe sot në botën e globalizimit, prandaj mund të thuhet pa frikë se, veprat e këtij autori janë një nga sukseset më të bujshme të dramaturgjisë polake bashkëkohore. Në shfaqje do të luajnë aktorët: Safete Rogova dhe Lirak Çelaj. Këtë herë për aktoren Rogova do të jetë premierë e veçantë, ngaqë kjo shfaqje do të shënojë karrierën 40 vjeçare të aktores në Teatrin Kombëtar të Kosovës, e njëkohësisht edhe 65 vjetorin e lindjes së saj.
Roli i nënës ‘Klara’ tek “Nata e Helverit” është një nga sfidat më të mëdha për çdo aktore, por energjia që manifeston ajo gjatë interpretimit në skenë, sikur e dëshmon se është e gatshme t’ia fillojë një karriere të re artistike. Mbase, këtë do ta dëshmojë edhe Safete Rogova se aktorja apo aktori kurrë nuk shkon në pension, asnjëherë nuk plaket!
Në shfaqje punuan edhe: kostumet dhe skenografia: Iliriana Loxha Basha, dizajni i dritave: Asllan Hyseni.