Nis asfaltimi i rrugës “Rrustem Statovci”
Nga Express më 04 shtator 2011 në ora 20:20
Pas vonesave të shumta në rregullimin e rrugës “Rrustem Statovci” te Parku i Qytetit në Prishtinë, të dielën më në fund ka nisur shtrimi i asfaltit të kësaj rruge, e cila tash e një kohë u ka shkaktuar vozitësve, por edhe kalimtarëve, probleme të shumta për shkak të gropave.
Përfaqësues të ndërmarrjes ndërtimore “Beni Com” nga Prishtina, e cila është kontraktues i punimeve, nuk kanë dashur të prononcohen për të dhënë arsyet e vonesës në rregullimin e kësaj rruge.
Ndryshe, veturat dhe kalimtarët gati gjatë gjithë verës janë përballur me vështirësi gjatë kalimit nëpër këtë rrugë, për shkak të gropave të shumta dhe të rrezikshme, si rezultat i të cilave ka ndodhur të shkaktohen edhe prishje të automjeteve.