E Diel, 1 Nëntor 2026

15 mln euro për ndërtimin e shkollave, Basha: Drejtorët e shkollave s’kanë faj për fushatën e Ramës

TIRANE- Bashkia e Tiranës do të bëjë gjithçka që standartet në shkollat e mesme të kryeqytetit të vazhdojnë të rriten dhe infrastruktura e shkollave të përmirësohet. Këtë ka deklaruar kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha në aktivitetin e organizuar nga gjimnazi “Qemal Stafa”, i cili me 28 Prill është vlerësuar me çmimin “Harku i Triumfit” kategoria Gold për vitin 2013, nga organizata më e madhe e vlerësimit të cilësisë BID EUROPE.

Ndër 100 kriteret që plotësoi ky Gjimnaz ishin cilësi e lartë mësimdhënie, rezultate të larta, trajnim i vazhdueshëm, cilësi në planifikim, komunikim, lidërship, përdorim teknologji e standartet në inovacion, etj.

Për rezultate të larta në Maturën Shtetërore të vitit 2012 Gjimnazi “Qemal Stafa”-u rëndit i pari dhe u vlerësua dhe me çmimin “Prizmi i Artë”.

“Bashkia e Tiranës do të bëjë gjithçka që standartet në arsimin e kryeqytetit të vazhdojë të rritet për të qenë në ato nivel të përputhën pritshmëritë që ju keni nga fëmijët tuaj gjimnazistë dhe student”- u shpreh Basha.

Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur sot se shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të ketë në dispozicion një grant prej 15 milion eurosh për të ndërtuar dhe rikonstruktuar shkollat e Tiranës.

“Numri i shkollave në qytet ka mbetur i vogël dhe i reduktuar dhe kjo natyrisht ka një efekt në cilësinë e mësimdhënies. Ndaj dua të ndajë me ju lajmin që si pjesë e paketës investuese e Bashkisë së Tiranës jemi në prag të firmosje së marrëveshjes, grandi prej 15 milionë eurosh në një organizatë të njohur me kontrubuesin e zhvillimit të Shqipërisë OFID, e cila do të bëjë të mundur që ne të tejkalojmë brenda një kohe të shkurtër këtë trashëgimni të hidhur të infrastrukturës së prapambetur arsimore në Tiranë dhe do të bëjmë të mundur jo vetëm arsim cilësorë në gjimnazet dhe në shkollat 9-vjeçare të qytetit tonë, por të bëjmë të mundur shndërrimin e këtyre shkollave në qendra komunitare siç parashikohen në marrëveshjen e sotme”- u shpreh Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës z.Lulzim Basha dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit mes Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila synon gjallërimin e jetës sportive dhe rinore brenda çdo shkolle me veprimtari të ndryshme gjatë dhe pas orarit mësimor.
Po kështu bëjnë të mundur dhe realizimin e një tjetër premtimi të bërë nga kryetari i bashkisë gjatë fushatës elektorale për hapje ndaj komunitetit të palestrave, terreneve sportive si dhe ambienteve ndihmëse të shkollave.

Kryetari Bashkisë së Tiranës e ka cilësuar të papranueshëm kërcënimin që kryetari i PS-së u bën drejtorëve të shkollave.

“Nuk ka rrugë tjetër për t’i dhënë fëmijëve të kryeqytetit një bazë të shëndoshë për të konkurruar në Bashkimin Evropian, përveç mbështetjes që ju jepet shkollave dhe ç’është më e rëndësishmja mësuesve dhe drejtuesve të këtyre shkollave.

Rruga që jepet ajo e kërcënimit të drejtorëve nuk është gjë tjetër veçse poshtërim, unë do thoja që fajin për fushatën e Ramës nuk e kanë drejtorët e kanë çiklistët. Ju do të thoni pse çiklistët? Unë do them pse drejtorët?” - u shpreh Basha
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›