E Shtunë, 31 Tetor 2026

150 filma në DokuFest

Në edicionin e njëmbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtë ‘DokuFest’ do të prezantohen rreth 150 filma dhe një numër i performansave muzikore. Festivali do të hapet më 7 korrik me shfaqjen e filmit ‘5 Broken Cameras’

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtë ‘DokuFest’ ka shpallur programin e plotë të filmave që do të shfaqën në gjashtë programe garuese si dhe mbi dhjetë programe speciale. Festivali do të hapet më 7 korrik me shfaqjen e filmit fitues të shumë shpërblimeve ‘5 Broken Cameras’ nga Amad Burnet dhe Guy Davidi në kinemanë Lumbardhi.

Në natën e hapjes poashtu do të shfaqen filma në dy lokacione të tjera. Marina Abramovic do të prezantohet me dokumentarin për jetën e saj ‘The Artist is Present’, pastaj do të shfaqen dokumentarët ‘Chasing Ice’, ‘Crulic: The Path To Beyond’, ‘½ Revolution’ dhe ‘Joe Strummer: The Future is Unwritten’.

Përmes një komunikate për media, të dërguar nga organizatorët e festivalit, bëhet e ditur se tani në edicionin e tij të 11-të, festivali do të prezantojë më së 150 filma dhe një sërë të performancave të muzikës live në DokuNights.

“Një seri e punëtorive, master klasave dhe debateve do të mbahen në nëntë ditët e festivalit, duke përfshirë master klasën me regjisorin dhe kinematografin e njohur Michael Glawogger dhe regjisorin e kinematografin polak Woiciech Staron. Balkan Documentary Center po kthehet për vitin e tretë më radhë për të mbajtur seancën përfundimtare të punëtorisë së tyre dhe seancën e prezantimit te filmave, dhe për të ndarë shpërblimin Best Balkan Newcomer”, thuhet në komunikatë.

Fotografi turk Kamil Firat do të hapë DokuPhoto me ekspozitën e tij të fundit të titulluar JR, që paraqet pehlivanët fëmijë në Turqi, përderisa fotografja gjermane Jutta Benzenberg do të mbajë një fjalim të fokusuar në eksperiencën e saj 20-vjeçare të të punuarit në Shqipëri.

Për t’u përputhur me dy temat qendrore të festivalit një numër i filmave do të shfaqen, përfshirë ‘OstPunk: Too Much Future’, ‘quietLOUDquiet: The Film About Pixies’ dhe ‘The Punk Syndrome’ duke theksuar temën e Punk-it. Tema e protestës do të veçohet nga filma sikurse ‘Like Blockade’, ‘Not a Carwash’, ‘Tahrir and Battle of Algiers’.

Këtë vit, Polonia është vendi në fokus dhe më këtë rast 11 filma do të shfaqen në programin Made in Poland ndërsa filmat e jashtëzakonshëm dokumentarë meksikan do të theksohen përmes një përzgjedhjeje speciale të përpiluar në bashkëpunim me festivalin Ambulante nga Mexico City.

Pikat tjera të veçuara do të përfshijnë shfaqjen e filmit epik 15 orësh nga Mark Cousin i quajtur ‘The Story of Film’ dhe retrospektiva e shkurtër nga regjisori francez Allain Resnais.

Mysafirë të shquar të festivalit përfshijnë filmbërësen e njohur iranian Samira Makhmalbaf, drejtorin e Programit të Dokumentarëve të ‘Tribeca Film Institute’, Ryan Harrington, drejtoreshën e festivalit ‘Ambulante’ Elena Fortes dhe filmbërësin britanik Grant Gee, që do të jetë i pranishëm për shfaqjen e dy filmave të tij ‘Patience (After Sebald)’ dhe ‘Radiohead: Meeting People is Easy’.

Një numër i filmbërësve poashtu do të jenë të pranishëm për shfaqjen e filmave të tyre, duke përfshirë Malika Zouhall-Worall dhe Katherine Fairfax Wright (Call Me Kuchu), Yuri Ancarani (Piattaforma Luna), Philip Schefner (Revision), Damjan Kozole (The Long Vacation), Ilian Metev (Sofia’s last Ambulance) dhe Iris Olsson (Burden of My Heart).

Eda Zari performon në DokuNights

Këngëtarja e njohur nga Shqipëria Eda Zari, së bashku me bendin e saj, do të performojë në DokuNights. Performanca do të mbahet më 13 korrik, në Andrra, në Parkun e Marashit në Prizren.

Muzika e Eda Zarit është një gërshetim i muzikës jazz me muzikën tradicionale shqiptare. Muzika e saj është një festival i ritmit, harmonisë dhe tingullit të fantazisë.

Performanca e Eda Zari Bend është përkrahur nga Ministria e Integrimeve Evropiane.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›