E Shtunë, 31 Tetor 2026

150 mijë euro për prokurorët specialë

Hiç më pak se 148 mijë euro i ka ndarë Qeveria e Kosovës për stimulimin e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Nga këto mjete do të përfitojë i gjithë stafi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, ku përveç pagës ata në forme stimulimi për çdo muaj deri në fund të vitit do të marrin edhe nga një shumë të majme parash, shkruan Zëri.

Në vendimin e Qeverisë së Kosovës thuhet se nga ky vendim më së shumti do të përfitojë zëvendësi i prokurorit special të Kosovës, ku përveç pagës bazë ai do të marre edhe 900 euro në muaj. Po ashtu nga 800 euro në muaj, sipas këtij vendimi, do t’i marrin edhe 8 prokurorë specialë.

Nga ky vendim do të përfitojë edhe stafi administrativ i Prokurorisë Speciale, por shuma e mjeteve që u jepen këtyre për stimulim është tetë fish më e vogël se e prokurorëve.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, 12 zyrtarë të Prokurorisë do të marrin nga 130 euro në muaj. Ndërkaq, 21 zyrtarë që shpërbejnë si personel mbështetës i Prokurorisë, për çdo muaj përveç pagës do të stimulohen edhe me nga 100 euro shtesë.

Sipas vendimit të Qeverisë, mjetet për stimulimin e prokurorëve ndahen nga rezerva e Qeverisë, më saktësisht nga shpenzimet e paparashikuara. Për implementimin e këtij vendimi Qeveria e Kosovës e ka obliguar Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Administratës Publike në vend.

Në fund të vendimit thuhet se pagesa për mjete shtesë bëhet nga 1 janari dhe vazhdon deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Në anën tjetër, përfaqësues të sindikatave në vend thonë se me këtë vendim Qeveria e Kosovës po e favorizon një grup të caktuar njerëzish.

Ismet Mehmeti, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Jurisprudencës së Kosovës thotë se Prokuroria Speciale gjithmonë është joshur nga pushteti.
Sipas tij, para pak kohësh Prokuroria Speciale ka marrë para shtesë përveç pagës për shkak të rrezikshmërisë në punë.

“Ne do të kërkojmë nga Qeveria që këto para të mos u jepen prokurorëve të Prokurorisë Speciale. Nëse këta janë te rrezikuar, atëherë edhe prokurorët tjerë janë të rrezikuar për punën që ata bëjnë. Diferencimi gjithmonë ka qenë dhe është me pasoja”, tha ai.

Mehmeti thotë se kur bëhet fjalë për rritje të pagave gjithmonë përfiton Prokuroria Speciale, ndërkaq prokurorët tjerë edhe pse bëjnë të njëjtën punë marrin paga shumë më të vogla.

Ndërkaq në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile në vend në një farë mënyre mundohen ta arsyetojnë vendimin e Qeverisë për ndarjen e mjeteve për stimulimin e prokurorëve./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›