E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtinasit kujtojnë Prishtinën e vjetër!

Prishtina kaloi luftëra botërore, dhe disa luftëra regjionale. Ato i sollën Prishtinës shumë vuajtje e varfëri, edhe eksode biblike. Mirëpo, për prishtinasit, Prishtina gjithmonë do të jetë një qytet i bukur. Të kujtomë: dikur, jo shumë moti, kishte një postë, një xhami, një hotel, ndërsa sot ka shumë posta, shumë hotele e shumë ndërtesa shumëkatëshe dhe sheshe e parqe.

Mirëpo, prishtinasit më të moshuar gjithmonë e kujtojnë me nostalgji Prishtinën e vjetër, ndërsa e reja nuk ju lë shumë përshtypje. Fontana e Prishtinës, lagjja “Ulpiana”, ish-hotel “Iliria”, Soliterat, vetëm këta emra prishtinasve ua kujtojnë Prishtinën e vjetër. Ankohen shumë me ndryshimet e bëra, e duan Prishtinën si dikur, me ca shtëpi të vogla e me shumë gjelbërim, shkruan Zëri.

“Sa një njëri që jeton 50 vjet aq e njoh unë Prishtinën”, thotë një prishtinas.
“Përveç ‘kopsht zoologjik’ nuk kemi, sepse Prishtina të gjitha tjerat i ka, mirëpo ka ndryshuar shumë, është bërë e padurueshme, ka shumë qarkullim, nuk ka mbetur asgjë nga e kaluara, të gjitha janë shndërruar në diçka tjetër”, thotë Agim Abazi.

E për Shaip Musliun, Prishtina e vjetër ia kujton korzon të ndarë në dy pjesë, në mes të serbëve dhe shqiptarëve.
“Sa e bukur ka qenë, jam rritur këtu, edhe po plakem këtu. Me kujtohet korzo, nga ish-hotel ‘Iliria’, ku kafenetë kanë qenë të ndara, në anën e poshtme rrinim ne shqiptarët, ndërsa në anën tjetër rrinin serbët, jeta ka qenë e atillë. Me kujtohet gjithashtu Teatri Kombëtar që ishte një “çarshi” e vogël plot me dyqane, e ku sot qëndron ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.Mirëpo, tani Prishtina nuk i ngjan Prishtinës së vjetër, sepse ka shumë komunikacion, shumë zhurmë, më shumë ndërtime, e më pak hapësira gjelbërimi. Në atë kohë nuk ka pasur shumë zhvillim, ka qenë më e dobët për nga zhvillimi ekonomik, mirëpo më e rehatshme, sepse banesa ka pasur vetëm në ‘Ulpianë’, po kanë qenë 5 apo 6 kate, ndërsa tani i ke përmbi 10 kate, kjo po ia zë frymën Prishtinës”, ka thënë Musliu.

Ndërsa Isak Krasniqi foli me shumë nostalgji për ditët e kaluara në Prishtinën e vjetër. “Jam lindur në këtë vend, e dua shumë, kujtoj gjithçka, mirëpo edhe di shumë për Prishtinën, e di që ka pasur lumë, ka qenë si një lloj përroi, ka kaluar nga Hoteli “Grand”, gjithashtu Përmendorja me tre gishtërinj, qëndron ende këtu, mirëpo unë e mbaj mend edhe me herët, para luftës të themi, se ka qenë më mirë, mirëpo tani çka po me duket jo e mirë në Prishtinën e re janë ndërtimet e shumta, tani nuk sheh tjetër, përveç ndërtesa shumëkatëshe, e qe besa edhe të ardhur shumë në Prishtinë, nuk po dua që t’i nënçmoj mirëpoë secili duhet të jetojë aty ku ka lindur, e ndien veten më mirë, besoj unë”, ka thënë Krasniqi./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›