16 kutitë që vendosin fituesin e Tiranës
Politika i përulet matematikës, në orët e fundit të garës së ethshme për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës. Pas mbylljes së procesit të numërimit në 9 KZAZ-të e Tiranës dhe hapjes së kutisë së fundit në njësinë 9, kampit të Bashës dhe atij të Ramës u mbetet veçse të bëjnë kalkulimet e fundit e të shtrëngojnë gishtat pas çdo kutie të numëruar në shkollën “Vasil Shanto”. Pas monitorimeve dorë më dorë të ambasadorit të SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, atij të BE-së, Etore Sequi dhe ambasadorit të OSBE, Eugen Ëallfarth, në orën 02.00 të mëngjesit, në këtë qendër kishin mbetur 16 kuti të pahapura, ku Edi Rama kryesonte me 3923 vota kundrejt Lulzim Bashës. Nga ana tjetër, socialistët presin me ankth të nxjerrin mbi 4862 vota për Ramën, ndërsa demokratët një diferencë poshtë këtij tavani votash për të fituar këtë garë që ka vazhduar “kokë më kokë” përgjatë 5 ditëve. Ky është kufiri që ndan kandidatët nga Bashkisë së Tiranës, pas llogaritjes së të gjitha votave të tjera që kanë prodhuar numërimet në 10 njësitë tashmë të mbyllura. Po cilat janë llogaritë që nxjerrin këtë kufi votash në njësinë 5? Nga të dhënat zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lulzim Basha ka dalë fitues me 4212 vota më shumë se Edi Rama, në 9 KZAZ-të ku ishte mbyllur numërimi i votave. Avantazhi i madh në KZAZ-të 8 dhe 11, të njohura si bastione të së djathtës në Tiranë i kanë dhënë Bashës këtë shkëputje të madhe dhe kryesimin e garës përgjatë gjithë ditës së djeshme. Edi Rama nga ana tjetër ka mbajtur shpresat tek bastioni tradicional i së majtës, ai i njësisë 5 për të mbyllur këtë “gropë” të krijuar nga diferenca e votave, ç’ka pritet të verifikohet gjatë ditës së sotme. Ndërkohë, kandidati Lulzim Basha ka fituar edhe garën e njësisë 9, votat e së cilës u numëruan në ambientet e Muzeut Kombëtar, duke rritur avantazhin e tij me 650 vota kundrejt Edi Ramës. Mbyllja e njësisë 9 e ka çuar Lulzim Bashën në kuotën e 4862 votave plus, rezultat ky që mund të përmbyset vetëm nëse njësia numër 5, ku kanë mbetur edhe 16 kuti të pahapura të kapërcejë këtë kuotë tashmë të arritur nga Basha. Procesi i numërimit në këtë njësi prodhoi 3923 vota plus për Ramën, të cilit i duhen tashmë mbi 939 vota për të përmbysur rezultatin në favor të tij. A do të kënaqë edhe këtë herë njësia 5, pritshmëritë e Edi Ramës për të fituar mandatin e katërt në Bashkinë e Tiranës? Gjithçka mbetet e fshehur edhe për pak orë në 16 kutitë e fundit të njësisë 5.