E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njësia 9, pesë ditët e ankthshme shkojnë drejt fundit

SHKRUAN: Habjon Hasani 13-05-2011 11:24

Kanë përjetuar 5 ditë të gjata, numëruesit dhe komisionerët e njësisë 9 në Tiranë. Së bashku me njësinë 5, kjo qendër numërimi votash është “flamurtare e orëve të vona” në procesin zgjedhor, që do të përcaktojë kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Në këtë qendër pritet një fitore e Partisë Demokratike, bazuar tek të dhënat e zgjedhjeve të vitit 2007, ndërsa demokratët akuzojnë komisionerët e PS-së për vonesa në këtë qendër, me të njëjtat akuza që artikulohen nga komisionerët e PS-së në njësinë nr 5. Edi Paloka, deputeti i Partisë Demokratike që ka ndjekur prej pesë ditësh ecurinë në këtë qendër shprehet se, komisionerët socialistë ishin të motivuar për zvarritje të procesit. “Ditën e dytë ndërprenë votimin dhe thanë se do e nisnin në orën 8 të mëngjesit se ishin të lodhur. I pritëm në orën 8 të mëngjesit, por erdhën vetëm në orën 16:00 të pasdites. Komisionerët dhe numëruesit tanë i pritën për tetë orë pa lëvizur dhe shumica e komisionerëve dhe numëruesve socialistë vinin vërdallë. Por ka pasur dhe episode të tjera vonesash, kanë pasur një mesatare prej 3-4 vonesash çdo ditë, nga një orë deri në tre orë. E kanë pasur si rregull të pashkruar këtë taktikë”, - është shprehur Paloka. Nga ana tjetër, deputeti socialist, Arben Ahmetaj thotë për “MAPO”-n se vonesat më së shumti kanë ardhur prej numëruesve demokratë. “Marrja e pushimit apo ndërrimi i komisionerëve është gjëja më normale, madje është veprim legal. Gjithë të tjerat janë ekzagjerime apo transferim i përgjegjësive për situata të shkaktuara nga vetë numëruesit e PD-së”, - është shprehur Ahmetaj. Në numërimin maratonë të më shumë se 5 ditëve, duket se ka pasur dhe episode të çuditshme. Një prej numëruesve demokratë në këtë njësi rrëfen se një numëruese socialiste ngriti gjithë KZAZ-në në këmbë, vetëm për të shtyrë numërimin. Një tjetër numërues i PS-së është shprehur se edhe numëruesit demokratë kanë shkaktuar vonesa dhe parregullsi. “Ka qenë numërimi, në mos gaboj, i kutisë 1922 dhe numëruesi demokrat na shpalli 15 fletë të pavlefshme, duke përmbysur rezultatin e kutisë në favor të PD-së. Plus që fletët i numëronte me aq ngathtësi të qëllimtë” - shprehet komisioneri i PS-së, në këtë situatë sa tragjike, aq edhe qesharake, që po shkon drejt fundit në njësinë 9.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›