Shtetrrethimi i KZAZ 49, ku Rama dhe Basha presin fitoren
Tiranë- Një gardh policësh është rreshtuar prej mëngjesit në hyrje të shkollës “Vasil Shanto”. Kapërcimi i tyre të fut në një mikro-kozmos të mbushur dëng me gazetarë, vëzhgues, politikanë e numërues, ulur në shkallët e palestrës, si në shkallët e një stadiumi, ku luhet raundi i fundit i një ndeshjeje që vazhdon prej 5 ditësh. Të gjithë rendin pas shifrave që dalin nga numërimi i votave, bëjnë kalkulime e brohorasin sipas rastit. Era e duhanit, përzierë me atë të ushqimeve, të merr frymën, e megjithatë, askush nuk do të dalë që aty, pa mbaruar beteja më e etheshme e zgjedhjeve të 8 majit, ajo mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Pesë tavolina me 20 numërues gjenden si në “shtetrrethim” e të vëzhguar nga dhjetëra sy. Rëndësia e kësaj KZAZ-je kuptohet menjëherë sapo hedh sytë në shkallët e palestrës; Paulin Sterkaj, Besnik Bare, Pandeli Majko, Pirro Lutaj, Eglantina Gjermeni, Elisa Spiropali nga kampi rozë e Fatbardh Kadilli, Gert Bogdani, Albana Vokshi, Genc Ruli nga ai blu, ndjekin me ankth procesin e numërimit. Sikur të mos mjaftonte tejmbushja e sallës me funksionarë politikë, ajri rëndohet nga gazetarët e operatorët, të cilët sfidojnë sekondën për të marrë të parët rezultatet e kutive të numëruara. Teksa ecën në ambientet e kësaj palestre, këmbët shkelin mbi bishta cigaresh, kanaçe pijesh energjike, shishe plastike, copa patatesh të rëna nga sanduiçët dhe një pafundësi letrash të zhgarravitura me shifra të pakuptimta. Vëzhguesit e huaj janë më të habiturit, mes tifozerisë politike që nuk ka fund në palestrën e shkollës “Vasil Shanto”. Me sy të venitur, gati të përgjumur, ata vëzhgojnë me hollësi të gjithë procesin e numërimit të votave. Në mesditë, atyre u erdhi në mbështetje zv.ambasadorja amerikane, Debora Xhons, e cila qëndroi për disa minuta në ambientet e KZAZ-së 49, pas kontakteve me të gjithë deputetët anglishtfolës, të cilët ishin të pranishëm aty. Edhe pse lodhja e tejskajshme i ka mbërthyer të gjithë, ata sërish nuk dorëzohen dhe presin deri në fund mbylljen e të gjithë kutive të votimit, të cilat do të nxjerrin emrin e kryetarit të ardhshëm të Bashkisë së Tiranës. “Nuk na pranon njeri në shtëpi pa mbaruar punë këtu dhe pa dalë fitimtarë” – tregon me shaka njëri prej vëzhguesve të Partisë Socialiste. Pak metra më tej, një mesoburrë po ndiqte me vëmendje numërimin e votave në një prej tavolinave dhe mbante shënim, si shumë të tjerë, çdo votë që kalonte në skaner. “Jam i lodhur sa më s’ka, por duhet të qëndroj këtu deri sa të mbyllet numërimi. Shpresoj që të na dalë për hajër e gjithë kjo lodhje dhe në fund fitorja të na buzëqeshë ne” – shprehet vëzhguesi i kampit kundërshtar, ai i Partisë Demokratike. Jashtë mureve rrethues të shkollës “Vasil Shanto”, situata ishte po aq e tensionuar sa brenda sallës së numërimit. Prej orëve të para të ditës, deri në mesnatë, një numër i madh mbështetësish të Partisë Socialiste kanë mbushur hapësirën e blertë buzë Lanës, duke “vëzhguar” nga jashtë, votat që numëroheshin brenda palestrës së shkollës “Vasil Shanto”. Brohorimat që vinin nga brenda sallës nga mbështetësit e Partisë Socialiste, kur rezultati i kutisë së numëruar ishte i thellë, brenda pak sekondave arrinte të depërtonte dhe në ambientet e jashtme. Jashtë derës së KZAZ-së, brenda ambienteve të shkollës gjendet një dyqan i vogël, xhiroja ditore në gjendje normale nuk i kalonte 8 mijë lekë të reja. Por në 5 ditë, pronari i saj tregon se ka 10-fishuar xhiron. “S’di çfarë të them. Ndoshta për shumë njerëz është anormale që ky proces të vazhdojë sa më gjatë, por për mua është e kundërta. Unë dua që mundësisht të vazhdoj edhe 1 javë tjetër, në mënyrë që të kem sa më shumë punë” – shprehet pronari i këtij dyqani, i vetmi i kënaqur nga gara e ethshme në shkollën “Vasil Shanto”, e cila do të gozhdojë rezultatin përfundimtar për Bashkinë e Tiranës.