16-vjetori i Shqipërisë në NATO-Begaj: Anëtarë të denjë të Aleancës

Presidenti i vendit Bajram Begaj përshëndeti sot me një mesazh 16 – vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancës së Atlantikut të Veriut.
“16 vjet në NATO. Shqipëria feston sot me krenari 16 vjetorin e anëtarësimit në aleancën më të sukseshme të mbrojtjes kolektive, NATO.
Në këto 16 vite Shqipëria ka dëshmuar se është anëtare e denjë e aleancës me kontribute dhe pjesëmarrje aktive në misione dhe operacione të NATO-s.
Shqipëria do vijojë të jetë e përkushtuar ndaj aleancës euro-atlantike për të patur një NATO të fortë, të bashkuar dhe solidare.” – u shpreh kreu i shtetit në profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka reaguar me një mesazh në rrjete sociale duke shkruar se me kontekstet e reja gjeopolitike do të forcohet partneriteti me aleatët.
“Ne kemi NATO-n dhe NATO ka Shqipërinë! Me kontekstet e reja gjeopolitike do të forcojmë partneritetin me aleatët tanë, si dhe do të vazhdojmë me krenari kontributin për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, – nënvizon Ministri Hasani.
Sipas tij, ministrit të Jashtëm ky rrugëtim i Shqipërisë në NATO reflekton forcën, sigurinë dhe solidaritetin, teksa shpreh krenarinë që vendi ynë gjendet pranë aleatëve për një të ardhme me të sigurt.
Më tej Ministria e Jashtme thekson se Shqipëria mbetet një aleate e përkushtuar dhe e besueshme e NATO-s, aleancës më jetëgjatë dhe më të fuqishme në botë, ndërsa thekson më tej se anëtarësimi i saj në NATO më 1 prill 2009, është një ndër arritjet më të rëndësishme historike, për vendin dhe për mbarë kombin shqiptar.
Gjithashtu, edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu shkruan se sot Forcat e Armatosura kontribuojnë në misione të sigurisë dhe stabilitetit përkrah aleatëve duke dëshmuar “vendosmërinë e Shqipërisë për një mbrojtje kolektive dhe paqe të qëndrueshme.”
16 vite më parë, Shqipëria 🇦🇱 iu bashkua Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë!
“Rrugëtim i mbushur me sfida, përkushtim dhe arritje të mëdha. Sot, Forcat tona të Armatosura kontribuojnë në misione të sigurisë dhe stabilitetit krah për krah aleatëve tanë, duke dëshmuar vendosmërinë e Shqipërisë për një mbrojtje kolektive dhe paqe të qëndrueshme. Krenarë për rolin tonë në Aleancë!”, shkruan Vengu.
/rtsh.al/