E Diel, 1 Nëntor 2026

17 mijë nxënës të shkollave profesionale nisën vitin e ri shkollor

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Në shkollat profesionale të vendit ka nisur sot viti i ri shkollor, për rreth 17 mijë nxënës, për të vijuar formimin e tyre dhe për t’u përgatitur për tregun e punës.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, uroi nxënësit për nisjen e vitit të ri shkollor, duke përcjellë një urim të veçantë për ata që këtë vit nisin për herë të parë arsimin profesional.

“Një urim i veçantë për nxënësit e klasës së 10-të, të cilët për herë të parë nisin rrugëtimin drejt profesionit të tyre”, tha Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj kujtoi se regjistrimet për klasën e 10-të në arsimin profesional janë të hapura deri më 30 shtator, përmes portalit “e-Albania”.

Në shkollat profesionale nxënësit mund të ndjekin programe të ndryshme, duke kombinuar formimin teorik me aftësimin praktik dhe përvojën në profesione të kërkuara në tregun e punës.

Mbi 17 mijë të rinj do të ndjekin arsimin profesional këtë vit në 31 shkolla publike në të gjithë vendin, ndërsa pjesëmarrja në arsimin profesional ka arritur në 19,4% të arsimit të mesëm, krahasuar me 12,7% në vitin 2013.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›