E Diel, 1 Nëntor 2026

17,9 miliardë lekë për bujqësinë në vitin 2027, rritet mbështetja për fermerët

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Buxheti për bujqësinë në vitin 2027 parashikohet në 17,9 miliardë lekë, me 1,1 miliardë lekë financim shtesë nga buxheti i shtetit, ndërsa skema e mbështetjes direkte për fermerët parashikohet të arrijë në 5,3 miliardë lekë.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2027 në Konferencën e Kryetarëve, theksoi rëndësinë e sektorit bujqësor për ekonominë dhe zhvillimin e zonave rurale.

“Bujqësia mbetet një sektor i rëndësishëm për ekonominë dhe zhvillimin e zonave rurale”, u shpreh Malaj.

Sipas ministrit, politikat e parashikuara për vitin e ardhshëm synojnë zgjerimin e skemave të mbështetjes dhe rritjen e numrit të fermerëve përfitues.

“Përmes politikave që do të zbatojmë, ne synojmë rritje të numrit të përfituesve. Kemi parashikuar për 2027 rreth 43 660 përfitues, numër i cili do të rritet edhe më tej në periudhën afatmesme”, deklaroi ai.

Ndër masat kryesore të parashikuara në projektbuxhet janë vijimi i kompensimit të TVSH-së me 10% për fermerët, me një fond vjetor prej 3 miliardë lekësh, si dhe shtimi i financimit për Skemën Kombëtare dhe infrastrukturën e ujitjes e kullimit.

“Ndër masat kryesore mund të përmend vijimin e kompensimit të TVSH-së me 10% për fermerët, me një fond vjetor prej 3 miliardë lekësh, 100 milionë lekë shtesë për Skemën Kombëtare dhe 400 milionë lekë shtesë për përmirësimin e sistemeve të ujitjes dhe kullimit”, tha Malaj.

Ministri theksoi se në total, skema e mbështetjes direkte të fermerëve parashikohet me rritje në masën 5,3 miliardë lekë.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›