E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketa Fiskale 2027, Dhoma Amerikane e Tregtisë: Të rishqyrtohet rritja e taksave

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri në një deklaratë sot për mediet ka shprehur shqetësim lidhur me ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027.

Sipas deklaratës, këto ndryshime parashikojnë një rritje të konsiderueshme të barrës tatimore për bizneset dhe ndryshojnë kushtet mbi bazën e të cilave sipërmarrjet kanë ndërtuar planet e tyre të aktivitetit, financimit dhe investimeve.

Dhoma Amerikane e Tregtisë i bën thirrje Qeverisë të rishqyrtojë rritjet e propozuara të barrës tatimore, të publikojë analizat e ndikimit ekonomik dhe social dhe të vlerësojë si alternativë prioritare zgjerimin e bazës tatimore, uljen e informalitetit dhe përmirësimin e administrimit të të ardhurave publike, përpara ndërmarrjes së masave që rrisin normat tatimore.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) pohon se lehtësimi i kostos së jetesës dhe mbështetja e qytetarëve, veçanërisht e familjeve më të ekspozuara ndaj rritjes së çmimeve, janë objektiva të rëndësishëm.

Megjithatë, thuhet në deklaratë, arritja e tyre duhet të shkojë paralelisht me ruajtjen e një klime të shëndetshme biznesi, nxitjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës. Për këtë arsye, AmCham kundërshton që financimi i masave sociale të mbështetet në rritjen e barrës mbi bizneset që deklarojnë aktivitetin dhe përmbushin rregullisht detyrimet tatimore, pa u shqyrtuar më parë alternativat e mundshme dhe efektet e ndërhyrjes.

“Duke marrë parasysh edhe nivelin e nënrealizimit të shpenzimeve buxhetore dhe suficitin e financave publike, çdo rritje e barrës fiskale kërkon një arsyetim të qartë mbi domosdoshmërinë e saj dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave shtesë”, thuhet në deklaratë.

Sipas AmCham, ndryshimet e propozuara prekin njëkohësisht disa prej elementeve kryesore të sistemit tatimor.

“Rritja e tatimit mbi dividendët nga 8% në 15% dhe e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, krahas rritjes së disa normave të reduktuara të TVSH-së nga 6% në 10% dhe ndryshimeve në tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, përbëjnë ndërhyrje me ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetin ekonomik. Këto masa mund të pakësojnë fondet e disponueshme për riinvestim, të ulin kthimin nga kapitali dhe të ndikojnë në kostot e aktivitetit, punësimin dhe planet e zgjerimit të bizneseve. Ndikimi neto në GDP, dhe rrjedhimisht në të ardhurat bruto tatimore, mund të rezultojë më i ulët se sa parashikohet, nëse politika e re pengon zhvillimin e bizneseve”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, Shqipëria vepron në një mjedis rajonal ku investitorët e huaj krahasojnë kushtet fiskale dhe parashikueshmërinë e mjedisit të biznesit në vende të ndryshme, vijon deklarata duke theksuar se rritja e normave tatimore do të dobësojë më tej pozitën konkurruese.

Një shqetësim tjetër lidhet me ndikimin e ndryshimeve të propozuara mbi çmimet e konsumit.

“Ndërsa vendosja e normës së reduktuar të TVSH-së prej 6% për një kategori produktesh ushqimore bazë synon të lehtësojë koston e jetesës, rritja e normës standarde nga 20% në 21% dhe e disa normave të reduktuara nga 6% në 10% mund të sjellë rritje të çmimeve për një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh. Në masën që këto rritje transferohen te konsumatorët, shpenzimet shtesë të familjeve mund të zbehin ose të kompensojnë pjesërisht përfitimet e pritshme nga ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë. Për më tepër, ulja e normës së TVSH-së nuk garanton në vetvete që përfitimi do të reflektohet plotësisht në çmimet përfundimtare. Për këtë arsye, AmCham kërkon një analizë të ndikimit neto të ndryshimeve mbi çmimet e konsumit, fuqinë blerëse dhe buxhetet familjare, si dhe sqarimin e mekanizmave të monitorimit për të vlerësuar nëse objektivat sociale të synuara do të arrihen realisht”, vijon deklarata.

Po ashtu, AmCham shpreh shqetësim edhe për mënyrën dhe kohën e paraqitjes së këtyre propozimeve.

“Propozimet me ndikim të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e bizneseve duhet t’i nënshtrohen një shqyrtimi të plotë, ku argumentet dhe rekomandimet e komunitetit të biznesit të analizohen dhe të merren në konsideratë përpara miratimit. Një proces i tillë është i domosdoshëm për të përmirësuar cilësinë e politikave fiskale dhe për të shmangur pasoja të padëshiruara për ekonominë”, thuhet në deklaratë.

Në këto rrethana, Dhoma Amerikane e Tregtisë i bën thirrje Qeverisë të rishqyrtojë rritjet e propozuara të barrës tatimore, të publikojë analizat e ndikimit ekonomik dhe social dhe të vlerësojë si alternativë prioritare zgjerimin e bazës tatimore, uljen e informalitetit dhe përmirësimin e administrimit të të ardhurave publike, përpara ndërmarrjes së masave që rrisin normat tatimore.

AmCham kërkon gjithashtu një proces të hapur e kuptimplotë konsultimi dhe parashikimin e periudhave të arsyeshme kalimtare përpara se ndryshime të kësaj përmase të merren në konsideratë, e aq më pak të zbatohen.

AmCham shprehet e gatshme të kontribuojë me ekspertizën dhe rekomandimet e saj konkrete, në funksion të një sistemi fiskal të drejtë, të qëndrueshëm dhe konkurrues, që nxit investimet, mbështet formalizimin dhe krijon kushtet për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›