E Hënë, 2 Nëntor 2026

18.829 votues në 36 qendra votimi në Dropull, mbyllet qendra e votimit në Krioner

Komisioni Zonal Zgjedhor nr. 83 do të organizojë procesin zgjedhor të 11 majit në tri njësitë administrative të Bashkisë Dropull: në Dropullin e Sipërm, Dropullin e Poshtëm dhe në Pogon.

Anëtarët e Komisionit këto ditë po merren me verifikimin e qendrave të votimit, si dhe me verifikimin e listave zgjedhore.

Në krahasim me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, në territorin e Dropullit do të ketë një qendër votimi më pak.

“Në KZAZ-në e Dropullit, nga 37 qendra votimi, sivjet janë 36. Një fshat me më pak se 300 votues, siç e ka edhe ligji, do të votojë në fshatin fqinj,” thotë kryetari i KZAZ-së Dropull, Mite Mejdi.

Njëkohësisht, në të gjithë fshatrat e Dropullit dhe të Pogonit tashmë janë afishuar listat përfundimtare të zgjedhësve.

“Listat e zgjedhësve kanë ardhur. Kanë filluar që ato të afishohen në çdo qendër. Janë kontrolluar që ato të jenë të rregullta,” siguron z. Mejdi.

Sipas listave përfundimtare, numri i votuesve të regjistruar në bashkinë e Dropullit arrin në 18.829, pa përfshirë emigrantët e regjistruar tek platforma e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe që kanë fituar të drejtën e ushtrimit të votimit nëpërmjet postës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›