19.3% e shqiptarëve paguajnë ryshfet?!!!
Një raport i përgatitur nga ana e INSTAT për korrupsionin në vend, ka zbuluar se 19.3% e shqiptarëve paguajnë ryshfet për shërbimet në institucione të ndryshme shtetërore.
Sipas këtij raporti, shifra mesatare e ryshfetit që paguan një qytetar shqiptar është 43 euro. 70% e ryshfetit, tregon raporti, shkon për policët, doktorët dhe infermierët. Ky fenomen është i përhapur në të gjithë vendin, por dominon në zonat rurale.
Në të shumtën e rasteve, qytetarët detyrohen që të paguajnë, duke qenë se ndeshen me refuzimin e shërbimit nga ana e punonjësve të institucioneve të ndryshme shtetërore.
Por, a është vërtetë e saktë shifra prej 19.3% e qytetarëve që japin ryshfet? Jo. Kjo shifër është shumë herë më e lartë, por, INSTAT, si një institucion që tashmë është kthyer në një vegël që i bën fresk qeverisë së kryeministrit Berisha, jep shifra më të ulëta.
Institucionet e pavaraura ndërkombëtare, si Gallup, kanë treguar se ryshfeti është shumë më i përhapur se sa thotë INSTAT.
Sipas sondazhit të publikuar pak muaj më parë nga kompania e mirënjohur GALLUP dhe Lëvizja Evropiane në Shqipëri, janë plot 49% e shqiptarëve që japin ryshfet në shërbimet publike.
Niveli i dhënies së ryshfetit ndërkohë në vendet e rajonit është shumë herë më i ulët se në Shqipëri. Në Bosnje Hercegovinë është është 18%, në Maqedoni 13%, në Mali të Zi dhe në Serbi 12%, në Kroaci 10% dhe në Kosovë 9%.