E Shtunë, 31 Tetor 2026

“1984” Mos e lini të ndodhë kjo!



Oruelli e mbaroi “1984” e tij vetëm pak ditë përpara se të binte në shtratin e vdekjes, duke thënë i shqetësuar: “Mos e lini të ndodhë kjo. Çdo gjë varet nga ju”. Megjithëse romani kishte pasur në dorëshkrim titullin “Njeriu i fundit i Evropës” (titull që s’u pranua nga botuesi) dhe Oruelli ’48-ën e ktheu mbrapsht duke e shndërruar në ’84, shumëkush e ka parë këtë vit si një profeci të shkrimtarit. Dhe e kanë ndjekur vit pas viti nëse do të vërtetohet “vizioni i tmerrshëm i autorit për të ardhmen”. Ky shqetësim tashmë ishte kolektiv e i përbotshëm. Madje në pak ditë pa hyrë viti 1984, “viti Oruell” në Amerikë u shit në mbi dy milionë kopje. Ndërsa Entoni Burges pikërisht më 31 dhjetor 1983 shkruan: “Ne mund të hyjmë të qetë në vitin e ri; ai nuk mund të na sjellë më shumë tmerre se viti që kaloi. “1984” e Oruellit e ka përgjuar gjatë këtë gjë”.

Tashmë vetëm po të përmendje 1984, menjëherë e dije se do të thoshe “shtet i kudondodhur, mohim i individit, larje e trurit dhe Big Brother”. “Big Brother is watching you” ishte formula që përmblidhte kontrollin tërësor dhe të vazhdueshëm të individit” – shkruan Joachim Scholl.

Nëse shumëkush e lexoi librin duke përgjuar se si mbahej nën vështrimin e vazhdueshëm çdo individ, nëpërmjet “tele-ekraneve” që përmend Oruelli, qenë ca njerëz që e panë këtë stil përgjimi në mënyrë krejt spektakolare, duke e kthyer “tele-ekranin” në një reality-show të përgjimit video të titulluar “Big Brother”. Dhe pikërisht kur po pritej se a do të realizohej profecia e Oruellit, doli në tregun e ekranit “Big Brother”-i holandez.

“Tek “1984” sundojnë “teleekranet”; ato janë të varura kudo, në sheshet publike, në zyra, në punishte, në muret e apartamenteve “private”. Janë kamera të mbikëqyrjes që regjistrojnë çdo gjë, çdo lëvizje, çdo fjalë të shqiptuar. Vendi drejtohet nga një parti e gjithëpushtetshme, nën autoritetin e “Big Brother””, - thekson Scholl.

Individi i vënë nën presionin e “Policisë së Mendimit”, “Ministrisë së Vërtetës”, “Policisë së Shtypit” apo “Ministrisë Së dashurisë” i kontrolluar, i survejuar, i paidentitet, anonim, uniformizohet, bëhet tepër i njëllojtë (si të gjithë), zhvishet nga vetjakësia e tij, futet në shpëlarjen e trurit...

Në “Der Spiegel” shkruhej: “Që në 1948, një botë e njoftuar nga Oruelli sheh të arrijë 1984-ën e vërtetë si një datë e caktuar nga fati. Por ka shumë kohë që është bërë e qartë se e ardhmja e vizatuar nga Oruelli me aq shumë sukses dhe me aq tmerr, e ardhmja e Big Brother, ka kohë që ka filluar”. Ky shënim gazetaresk është bërë diku nga pranvera e vitit 2000, atëherë kur një kanal televiziv gjerman dha një reality-show; “në të cilin shumë vullnetarë pranuan të jetonin tre muaj të mbyllur në një apartament të mbikëqyrur natë e ditë nga kamerat - ilustrim i formulës kyç të Oruellit”. Në filmin “1984” realizuar në 1955 nga Majkëll Anderson (me Majkëll Redgrev dhe Edmond O’Brajan në rolet kryesore), shfaqet shpesh në mes të sheshit dhe të turmave ekrani i madh televiziv me portretin dhe jetën e Uinston Smithit të përgjuar e vëzhguar non-stop nga “tele-ekrani”. Edhe ekranizimi tjetër (i Majkëll Redford) që u bë pikërisht në vitin e Oruellit, ka insistuar ta paraqesë këtë stil vëzhgimi e këtë mënyrë survejuese ndaj individit dhe zhveshjen nga privatësisë (edhe më intime) të Smithit, duke e kthyer atë në një “rrënojë shpirtërore”, në një arketip “jopersoni”, një fat që për çudi personazhi i Oruellit e pranon me mirënjohje të madhe.

Madje në një libër ku flitet dhe për veprën e Oruellit (si një ndër veprat më të mira të shekullit) shkruhet: “Ai (Uinston Smithi i romanit) është më se i kënaqur nga fati prej vemjeje, meqë partia e la të jetojë. Ai është mirë. Çdo gjë shkon mirë. Lufta kishte mbaruar. Ai kishte korrur fitoren mbi vetveten. Ai e donte Big Brother-in”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›