Delijorgji; Tragjedia e Gërdecit, fajtorë Ministria e Mbrojtjes e kompania SAC
Maks Haxhia: Fajtorët e vërtetë të tragjedisë së Gërdecit janë mënjanuar nga përgjegjësia penale. Klienti im është vetëm një biznesmen skrapi. Nuk e caktoi ai vendin e demontimit dhe kryerjen e tenderimit për municionet. Këto veprime janë bërë nga Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Mbrojtjes dhe kompania amerikane SAC janë fajtorët për tragjedinë e Gërdecit. Ky ka qenë thelbi i deklarimeve të bëra dje nga avokati mbrojtjes i Mihal Delijorgjit, një ndër të pandehurit kryesorë të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Gjatë seancës së djeshme, avokati i tij, Maks Haxhia, ka deklaruar se fajtorët e vërtetë janë mënjanuar nga gjykimi, ndërkohë që me akuzat po përballen persona që nuk kanë asnjë faj në shkaktimin e tragjedisë. Duke u përpjekur ta nxjerrë të pafajshëm klientin e tij, avokati Haxhia u shpreh në sallën e gjyqit se “Delijorgji nuk është personi që kreu tenderimin për municionet, nuk është ai personi që caktoi vendin ku do realizohej demontimi. Këto veprime i ka bërë Ministria e Mbrojtjes. Mihal Delijorgji është thjesht një biznesmen që do përfitonte si kontraktues në këtë aktivitet skrap, konkretisht nga predhat, gëzhojat e djegoret. Por, nuk është faji i tij që përfaqësuesi i kompanisë SAC nuk arrit në kohë të tërhiqte sasinë e madhe të barutit që gjendej e grumbulluar në fabrikën e demontimit”. Akuzat e Delijorgjit përmes avokatit të tij kanë qenë mjaft të rënda dje në sallën e gjyqit në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe drejtuesve të saj, madje duke nënkuptuar edhe mungesën e ish-ministrit Fatmir Mediu si i pandehur në këtë gjykim, por edhe administratorin e kompanisë amerikane SAC, Patrick Henry. Sipas avokatit Haxhia, me barutin, i cili shpërtheu dhe solli katastrofën, merrej kompania SAC dhe ajo nuk e kishte tërhequr sasinë qindratonëshe, pasi priste trajlera nga Izraeli për t'i transportuar më tej për në Belgjikë. Avokati Haxhia deklaroi në mbrojtje të klientit të tij se “klienti im hyri për biznes, por katastrofa nuk ka lidhje as me të dhe as me kompaninë e tij “Albademil””. Sipas avokatit të Delijorgjit, prokuroria duhej të merrte të pandehur ose Delijorgjin ose kompaninë dhe jo t'i vinte të dyja nën përgjegjësi sikurse ka bërë, sepse, sipas Maks Haxhisë, kjo është e papranueshme juridikisht. Pas ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i cili një seancë më parë akuzoi drejtpërdrejt ish-ministrin Mediu për tragjedinë e Gërdecit më 15 mars të vitit të kaluar, tashmë ka qenë i pandehuri tjetër, Mihal Delijorgji, i cili përmes avokatit të tij deklaron pafajësinë dhe akuzon Ministrinë e Mbrojtjes dhe drejtuesit e saj në atë kohë si dhe kompaninë SAC për katastrofën e Gërdecit.
Mbrojtja e avokatit
“Jemi në bindje të plotë se Delijorgji është i pafajshëm nga incidenti i shpërthimit në Gërdec dhe dëmet materiale. Fakti që ndodhet në këtë pozicion ndodhet për shkak të medias, i inspiruar nga faktorë të posaçëm. Janë eleminuar si të pandehur persona që kanë qenë drejtpërsëdrejti fajtor. Nuk është Mihal Delijorgji personi fajtor është kaluar përgjegjësia tek ai”, ka deklaruar dje avokati Maksim Haxhiaj gjatë paraqitjes së provave të tij. Mbrojtësi i ka shpjeguar gjykatës edhe fabulën e kësaj ngjarjeje. “Duke ditur se Shqipëria vjen nga një vend postkomunist mblodhi një numër të madhe armatimesh, të cilat do të jenë problem për këtë qeveri apo për çdo qeveri që do t’i asgjësojë këto armatime, të cilat bëhen me donacion pa asnjë përfitim. Për këtë shkak qeveria mori vendimin e procesit e demontimit, duke rënë dakord me institucionin përkatës për t’i demontuar këto municione. Ministria e Mbrojtjes caktoi strukturat përkatëse, caktoi MEICO-n për të organizuar tenderin për këtë proces, si dhe vendin ku do të realizohej demontimi”, - ka shtuar më tej ai. Avokati i ka bërë të ditur trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Ritvan Hado se kompania e Delijorgjit dhe vetë ai nuk kanë ekzistuar në këtë pjesë. “Që të realizohej tenderi i demontimit kërkoheshin dy kushte. E para, licencë e specifikuar dhe e dyta të dispononte personelin e kualifikuar për realizimin e procesit. Do të vërtetojmë se Mihal Delijorgji nuk është futur në procesin e tenderimit as si përfaqësues i firmës as si person fizik, por janë futur në tender shoqëri që e kanë fituar tenderin e përfaqësuar nga shtetasi amerikan, Patrick Henry, i cili kishte licencën dhe grupin e specialistëve përkatës. Ky subjekt është lënë jashtë përgjegjësisë penale”, - ka theksuar Haxhiaj. Sipas avokatit, në procesin e demontimit, e realizuar nga kjo shoqëri, e caktuar nga Ministria e Mbrojtjes, siç ishte Gërdeci, realizoheshin 4 produkte: baruti, gëzhoja, predha dhe djegorja, ku tre produktet ishin metalike dhe një ishte baruti. Shoqëria SAC e menaxhonte barutin. “Ajo e grumbullonte atë për interesa të veta dhe nëpërmjet trajlerave që vinin nga Izraeli e shiste në Belgjikë. Për tre nënproduktet metalike hyn në skemë Mihal Delijorgji, jo si person fizik. Patrick Henry për të nxjerrë sa më shumë fitime, interesohet se kush qe subjekt i specializuar që të merrej me skrapin. Pasi vihet në dijeni që Mihal Delijorgji kishte një kompani të specializuar, bien dakord që të krijojnë shoqërinë “Albdemil” me këto raporte: 33 % Patrick Henry dhe 67 % Mihal Delijorgji. Shpërthimi në Gërdec nuk ka të bëjë me Mihal Delijorgjin, nuk është marrë me produktin e barutit. Ditën e shpërthimit janë mbledhur 4 mijë tonë barut pasi ishin vonuar trajlerat nga Izraeli dhe do çoheshin në Belgjikë”, - ka treguar më tej Haxhia.