“No Dream” në protestën e djeshme
Qytetarë të ardhur nga gjithë Shqipëria u përfshinë dje në përpjekjet e lidershipit socialist për t’i dhënë përmasa popullore një proteste, e cila nuk ka ndonjë shans të fitojë ato cilësi për shumë arsye.
Së pari protesta e djeshme e shënjuar si kulmi i protestave të zhvilluar dy muajt e fundit nga Partia Socialiste dhe partitë e tjera të opozitës, nuk arriti të grumbullonte protestues në atë masë që pritej, duke qenë e krahasueshme me ndonjë protestë në rrethe dhe po ashtu me protestat e mëhershme të bëra në Tiranë. Pavarësisht mundimit të madh të PS-së, për të importuar mall për miting nga rrethe të ndryshme, ishte e pamundur që vullneti i administratës së majtë në disa qytete të vendit të zëvendësonte vullnetin e qytetarëve që duhej të ishin në një protestë të tillë nëse ajo i motivonte ata. Protesta quhet e tillë edhe kur bëhet vetëm nga një person, por një protestë e iniciuar dhe e kthyer në kauzë nga partia më e madhe e opozitës kërkon patjetër një mbështetje të gjerë popullore. Pa këtë element, ajo nuk mund të imponohet te pushteti apo mazhoranca, për shkak se nuk është thjesht një protestë sensibilizuese, por një protestë që kërkon verifikim të pushtetit të mazhorancës pas zgjedhjeve të konsideruara pothuajse kryesisht në standardet ndërkombëtare dhe pa elementë kontestues, të cilët sugjerojnë verifikimin e votës.
Së dyti, protesta e djeshme i dha fund një mundimi të të gjithë socialistëve që i besojnë Edi Ramës se zgjedhjet janë manipuluar, pasi prej vetë lidershipit socialist që iu drejtuan protestuesve të djeshëm në bulevardin para Kryeministrisë, nuk kishin për lajtmotiv çështjen e zgjedhjeve, por çështje që lidhen me pushtetin. Këtu bën përjashtim vetëm Pandeli Majko, i cili është ndër socialistët që i shkon deri në fund besimit fillestar pavarësisht rrethanave. Në fjalimet e tyre bëhej fjalë për të gjitha gjërat e këqija që mund të thuhen për një qeveri, por nuk thuhej asgjë për hapjen e kutive, aq më pak argumente që mbështesin një kërkesë të tillë.
Së treti, protesta e djeshme dhe një varg protestash në qytete që i paraprinë kësaj, ishin ndërtuar mbi një argument, i cili jo vetëm që nuk është popullor tek qytetarët e zakonshëm, por edhe brenda vetë Partisë Socialiste nuk ka ndonjë farë popullariteti. Zgjedhja e motivit ishte për një protestë të vogël teknikësh të PS-së, që mendojnë se ligji zgjedhor duhet riparuar sërish, ndërsa qytetarët kur thirren në protestë, më së paku motivi duhet të ketë ndikim tek jeta e tyre e përditshme.
Së katërti, mitingu i djeshëm i opozitës kishte mangësi entuziazmin e pjesëmarrësve. Më së shumti ajo ngjante si mbledhje sesa si protestë. Fakti se ajo do të zgjasë tri ditë e bën edhe më të dyshimtë produktin e saj, i cili prej dje pasdite ka nisur të bëhet objekt i barsoletave të pafundme shpërndarë me SMS në qindra e qindra telefona të qytetarëve të Tiranës.
Pas kësaj proteste, Edi Rama duhet të rishikojë listën e kushteve që ka shpallur ditën e bojkotit ndaj Parlamentit. Në këtë listë ka edhe kushte që shpëtojnë nderin e protestës, ashtu si ka kushte që e vështirësojnë negocimin. Le ta marrë protestën si shembull dhe, bazuar te kjo, të ndërtojë edhe axhendën që e çon PS-në në Parlament, zyrtarët e bashkive socialiste në punë dhe vetë atë, Edi Ramën në realitet.