2 maj, Qato kundër argjentinasit Ponce
Kreshnik Qato, kampioni shqiptar i botës në versionin WBF ka mësuar edhe emrin e kundërshtarit për duelin e 2 majit, që do të zhvillohet në Tiranë. Ai është 27-vjeçari nga Argjentina, Esteban Ponce. Lajmi është konfirmuar nga promotori i 31-vjeçarit, Ylli Ndroqi. Fillimisht ishte menduar se kundërshtari i Qatos do të ishte serbi me banim në Austri, Gojko Knezheviç. Boksieri durrsak po vazhdon përgatitjet intensive në Francë dhe do të mbërrijë në Shqipëri vetëm pak ditë përpara sfidës. Në mbrëmjen e mbrojtjes së titullit në pallatin e sportit, “Asllan Rusi”, nuk do të mungojnë surprizat. Përpara duelit të Qatos, do të zhvillohet një ndeshje femrash, ndërmjet një boksiereje australiane dhe një britanikeje. Në ring do të hipë edhe kosovari Shpëtim Shala, i cili do të sfidohet nga kroati Josip Jalushiç.
#