Erkand Qerimaj, bronz në shtytje në Kampionatin Europian në Minsk
Erkand Qerimaj e mbyll Kampionatin Europian 2010 me një medalje bronzi të fituar në stilin e shtytjes në peshën 77 kg. Padyshim që peshëngritësi shqiptar mund të ishte kthyer nga Bjellorusia me një rezultat edhe më të lartë, por problemi kryesor në aktivitetin që po zhvillohet në Minsk duket se ka qenë mungesa e përqendrimit. 21-vjeçari është penalizuar në mënyrë të ndjeshme nga paraqitja shumë e dobët në stilin e shkëputjes, ku u rendit vetëm i teti (vendi i parafundit), ndërkohë që pavarësisht terrenit të fituar në shtytje, ai nuk arriti të merrte më shumë se vendi i katërt në dygarësh, me 344 kg.
Në deklarimet e peshave përpara garës, Qerimaj kishte kërkuar ta niste shkëputjen me 152 kg. Por, duke parë rezultatet e vendosura nga konkurruesit e tjerë, shkodrani ka ndryshuar taktikë dhe kërkoi 154 kg në shtangë. Ai ka dështuar në dy provat e para, me gabime që vinin prej nxitimit, por edhe vlerësimit jo maksimal: në asnjë prej rasteve, nuk ka arritur ta balancojë shtangën mbi shpatulla. Për të mos rrezikuar skualifikimin në renditjen e përgjithshme, Qerimaj ka mbajtur peshën 154 kg edhe në provën e tretë, të cilën e kaloi me sukses. Megjithatë, dy tentativat e dështuara ndikuan në klasifikim, pasi kuqeziu e mbylli konkurrimin në shkëputje vetëm në vendin e tetë, nga nëntë peshëngritës që konkurronin në baterinë A. Në zonën e medaljeve, 21-vjeçari është renditur vetëm në shtytje, disiplinë e cila është pika e tij e fortë. Në provën e parë Qerimaj kishte kërkuar 188 kg, por në momentin e hipjes në pedanë ai ka shtuar edhe dy kilogramë dhe e ka ngritur me sukses peshën 190 kg. Edhe pse ka zhgënjyer në dy provat e mbetura, ku tentoi të ngrinte 192 kg, shkodrani arriti të renditej i treti, duke marrë bronzin. Me 344 kg të ngritura në total, Qerimaj është klasifikuar i katërti në dygarësh, me 2 kg më pak se bjellorusi Mikalai çarniak, i cili ishte fitues i argjendit në shkëputje me 161 kg. Kampioni absolut i Europës u shpall armeni Tigran Martirosian, me 360 kg (165 në shkëputje dhe 195 në shtytje), ndërsa nënkampion ishte polaku Krzisztof Szramiak, i cili fitoi bronzin në shkëputje dhe i “vodhi” Qerimajt argjendin në shtytje vetëm për një kilogram.
#