E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro padit kryebashkiun Rushaj dhe zëvendëstrajnerin Dervishaj

FSHF dhe Shoqata e Trajnerëve mbështetje të pakursyer: thirrje për komunitetin e futbollit

Edhe pse ka fituar dhe Besa e tij është në finalen e Kupës së Shqipërisë, trajneri Shpëtim Duro nuk e ka përtypur dot atë që i ka ndodhur në Peqin. Ndaj rreth mesditës së djeshme i është drejtuar në një rajon të policisë në kryeqytet, ku edhe ka paditur kryetarin e bashkisë së peqinasve, Ilir Rrushaj, dhe zëvendëstrajnerin e Shkumbinit, Klodian Dervishaj, të cilët ishin edhe agresorët e tij në përfundim të sfidës gjysmëfinale të Kupës, të mbyllur 0-1 në favor të kavajasve. Pasi ka bërë vizitat e rastit në Spitalin Ushtarak, ai i është drejtuar rajonit nr. 2 në Tiranë. Duro është ende i tronditur nga veprimi i qytetarit “Nr.1” të Peqinit dhe është shprehur se u është drejtuar organeve kompetente, në mënyrë që ngjarje të tilla të shëmtuara të mos ndodhin më në të ardhmen. “Normalisht, nuk jam gëzuar shumë pas ndeshjes se ka pasur probleme. Jam shumë, shumë i shqetësuar kur bën veprime skandaloze një njeri, i cili është figura kryesore e qytetit, që duhet të japë shembullin pozitiv për këtë bashkëqytetarët e tij. Godet një trajner që është në krye të detyrës. Nuk ka nevojë për koment. Unë kam bërë denoncimin për të sensibilizuar opinionin, që ngjarje të tilla mos të ndodhin”, përfundon Duro. Trajneri do të përfaqësohet nga studio ligjore Haxhia-Hajdari. Federata e Futbollit i ka dhënë mbështetjen e vet trajnerit të Besës në ndjekjen e kësaj çështjeje nga ana ligjore. Ndërkohë që një reagim sensibilizues në mbështetje të Duros ka ardhur dje edhe nga Shoqata Kombëtare e Trajnerëve të Futbollit. “Jemi thellësisht e shqetësuar për shfaqjet e dhunës të përsëritura në fushat shqiptare të futbollit dhe i dënon fort ato, thekson shoqata. Kërkojmë respektimin e institucionit të trajnerit si teknik, edukator, drejtues dhe profesionist, me të gjitha të drejtat e tij”. Më pas ajo kërkon përfshirjen e të gjithë faktorëve që marrin pjesë në lojën e futbollit, klube futbollistike, ministri, FSHF, shoqata të ndryshme, media dhe individëve, me synimin “që të ndikojnë sa të jetë e mundur në rritjen e figurës së trajnerit, si drejtues dhe edukator”. Ndërsa, insiston që FSHF dhe komisionet juridike të saj, dënimin maksimal të të gjithë atyre, që shkelin rregulloret dhe dhunojnë institucionin e trajnerit. Po ashtu shoqata e sheh të arsyeshme që në raste të tilla nevojitet edhe mbështetja e komunitetit të futbollit: “Duke e konsideruar institucionin e trajnerit, një element shumë të rëndësishëm dhe të respektuar, ne i kërkojmë të gjithë komunitetit të futbollit, që të bashkohet me ne për mbrojtjen e figurës së trajnerit. Duke bërë këtë, ne të gjithë kemi mbrojtur futbollin”. Ndërkohë që, 24 më pas, në Peqin mendojnë ndryshe, pasi drejtuesit e Shkumbinit nga të akuzuar janë kthyer në akuzues. Sipas tyre pas gjysmëfinales, Shkumbini-Besa (0-1), nuk ka pasur incidente, përveç disa acarimeve sporadike të dy tifozerive. Edhe zv.trajneri i Shkumbinit, Klodian Dervishi, ka mohuar të jetë përfshirë në dhunën ndaj Shpëtim Duros. Tashmë është thuajse e sigurt, që pas këtij incidenti, komisionet disiplinore të federatës në mbledhjen e radhës do të marrin masat ndëshkimore ndaj klubit të Shkumbinit, i cili rrezikon minimalisht 4-6 javë pezullim të fushës.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›