E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 vite te Demokracise Kristiane në Shqipëri

11-12-2011 / Nga Zef Bushati

11 Dhjetor 1991 - 11 Dhjetor 2011

Qysh ne vitet e gjata te luftes per komb e shtet shqiptar perfaqësues te demokracise kristiane kane dhene nje kontribut te çmuar. Vlen te theksohet kontributi i Luigj Gurakuqit dhe perpjekjet e tij per shpalljen e pavaresise se shtetit shqiptar ne krah te Ismail Qemalit. I pashlyeshëm nga historia eshte edhe kontributi i Dom Nikolle Kacorrit, zv/Kryeministrit te pare te qeverise Shqiptare te kryesuar nga Ismail Qemali. Fill mbas viteve 30, demokracia kristiane u shndërrua ne nje faktor me rendesi dhe i domosdoshëm per demokratizimin e shtetit. Rilindasit tanë, me pushke e pene,me dije e kulture, me vullnet e durim kane mbajtur gjalle dashurine per atdhe dhe komb shqiptar. Civilizimi kristian, emancipimi dhe demokracia kristiane, nepermjet udheheqesve shpirterore dhe idealisteve te saj, bente thirrje me e dashte gjuhen shqipe, zakonet e doket, me e dashtë atdheun e mos me u shite tek i huaji,me e dashte shqiperine dhe cdo pëllëmbë tokë te saj, me luftu dhe me mbrojte Shqiperine si Gjergj Kastrioti, e te paret tane, kete amanet me e mbajte dhe femijeve me ju a lane. Padrejtesite historike ngriten peshe zemrat e patrioteve dhe i madhi At Gjergj Fishta do te leshonte kushtrimin: Po, por me ndihme te zotit do ta shohim Shqiperine te lire, nga Preveza ne leqe te Hotit, nga Tivari ne Manastir.
Keto ideale demokristiane nacionaliste do te tronditen ne Shqiperi me fitoren e komunizmit dhe ideologjise se saj ne fundin e vitit ‘44. Opozite, disidencë, kundershtare politikë. Idealistet e demokracise kristiane ne Shqiperi filluan te protestojne e me pas te organizohen per ta parandaluar perhapjen e kesaj ideologjie komuniste, e cila do ta çonte vendin drejt nje katastrofe te vertete. Nje rol te vertete dhe kryesorin do ta luante ne veprimet antikomuniste organizata “Demokristiane” qe u formua ne qytetin e Shkodres, menjehere ne vitin 1945. Komunistet organizojne sulm dhe godasin “grupin e deputetëve” dhe te “demokristianëve” ne Shkoder. Organizata demokristiane me emrin “Bashkimi Shqiptar” ne vitin 1945 synonte te grumbullonte elemente antikomuniste te tri besimeve fetare. Krerët e saj ishin Gjon Shllaku, Xhovani Fausti dhe Daniel Dajani. Dy famullitaret e kishes katolike te Tiranes Shtjefën Kurti dhe Anton Dukagjini ngriten zerin e organizates “Bashkimi Popullor” ne misionet e huaja ne Tirane dhe prane qeverive te shteteve te medha per rrezikun komunist qe i kanosej Shqiperise, popullit shqiptar dhe ceshtjes sone kombetare. Per idealistet e demokracise kristiane shqiptare nis nje faqe e dhimbshme ne historikun e saj. Arrestime, burgime, vrasje, pushkatime. Terrori komunist nisi i egër ndaj atyre politikaneve te cilet mbas 44-tes nuk morën arratine neper shtetet e huaja por qendruan ne Shqiperi te vendosur, guximtare per te luftuar kunder ideologjise komuniste. Pikerisht ky akt vendosmerie i terboi komunistet te cilet kryen akte kriminale, tortura e krime monstruoze qe synojne zhdukjen e idealeve te demokracise kristiane nepermjet zhdukjes fizike te atyre qe i mbartin keto ideale. Do te jete burgu i tmerrshëm e  famëkeq komunist i Spaçit  qe do te mbaje brenda telave me gjemba nje tjeter organizate demokristiane.
    Me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithe Europa” nisen proceset demokratike ne Shqiperi. SHBA dhe Europa u bene sinonimet e fjales “liri”. Era e lirise e vitit ‘90 nuk vonoi  te çelë gonxhet e para demokristiane ne Shqiperi te cilet themeluan me Urdhër Nr.40/1 date 10.10.1991, firmosur nga ish-Ministri i Drejtësisë Shefqet Muçi, krijimin e Partise Bashkimi Popullor. Fillimet e demokristianëve ishin mjaft te veshtira. Ish Presidenti komunist Ramiz Alia kishte porositur qe te mos lejohej themelimi i nje partie demokristiane. Por kishte gabuar. Nenkryetari i Komisionin Nismetar, Artisti i Popullit Ndrek Luca nuk do te lodhej se trokituri çdo dite ne dyert e Ministrise se Drejtësisë me kërkesën e firmosur nga te gjithe nismetaret per t’i dhene te drejten e miratimit te emrit te vertete te partise qe ata kishin themeluar. Dhe dita e shumëpritur erdhi mbas dy muajve. Me Urdher Nr.40/3 date 11 Dhjetor 1991, përsëri ish-Ministri i Drejtësisë Shefqet Muçi, miraton ndryshimin e emrit nga Partia Bashkimi Popullor ne Partia Demokristiane e Shqiperise. Ëndrra e idealisteve u be realitet. Nis keshtu rrugen ideologjia e demokracise kristiane ne Shqiperi.
Nje lule demokristiane, nje parti qe synonte te jepte kontribut te madh ne fatet e kombit, pati çelur me pare ne Kosove me 5 Nentor 1990. Shqiptaret e Kosoves, luftetare trima e te vendosur ne ceshtjen kombetare edhe nje here me themelimin e Partise Shqiptare Demokristiane te Kosoves i dhane nje mesim e njekohesisht nje sfide akuzave te paskrupullta te cilat akuzonin shqiptaret e Kosoves si fondamentaliste islamik dhe qe kerkojne te ndertojne nje shtet islamik ne Ballkan. Ata, demokristianet shqiptare te Kosoves i treguan Beogradit, Ballkanit e krejt Europes se shqiptaret ne te gjithe trevat e tyre jane europiane dhe pjese e saj. Çdo synim, çdo akuze eshte e deshtuar, asgje nuk e ndal popullin shqiptar te integrohet ne familjen e madhe europiane. Endrra e popullit shqiptar per t’u integruar ne Europe sot eshte prezente tek çdo shqiptar. Kjo eshte nevoje e ngutshme qe kerkon te realizohet me te gjitha ngarkesat e saj.
Partia  Demokristiane e Shqiperise ka marre pjese ne zgjedhjet parlamentare te Marsit 92 dhe ne zgjedhjet lokale te Korrikut 92 e me pas ne te gjitha zgjedhjet Parlamentare e ato lokale. Me 27 Shkurt 1994 zhvilloi punimet Kongresi i Pare i Partise Demokristiane te Shqiperise ne ora 9 ne sallen e Akademise se Arteve ne Tirane. Fjalen e hapjes se Kongresit e mbajti Kryetari i deges se PDK-se ne Shkoder Dr. Kol Nuku i cili propozoi presidiumin e Kongresit te perbere nga: Kol Nuku, Henrik Martini, Xhulio Zefi, Liljana Rragullina, Zef Lleshi, Nikolin Pavaci, Keze Zylaj, Franc Marku, Gjet Kadeli dhe Vasil Babi. Ne perfundim te diskutimeve e mbasi Komisioni i Verifikimit te Mandateve kreu proceduren u kalua ne zgjedhje. U ngrit Komisioni i Numërimit te votave i perbere nga Gjon Xhuxha kryetar, Pashk Gjokaza Antar dhe Zef Bryshtulli Antar. Ne votim moren pjese 105 delegate. U propozuan si kandidate per Kryetar te PDK-se Kole Nuku, Zef Bushati, Franc Marku, Nikolin Pavaci dhe Xhulio Zefi. Me shumice votash Kryetar u zgjodh Zef Bushati. Me 1 Korrik 1995 ne Bukuresht demokristianet pranohen vezhgues ne Unionin Kristian - Demokrat Europian. Ne vitin 1997 marrin pjese per here te pare ne Parlamentin Shqiptar me 2 deputetët e tyre, Zef Bushati dhe Sander Uldedaj dhe per here te pare behen pjese e Kabinetit Qeveritar. Me 27 Nendor 1999 demokristianet pranohen Antare me te drejta te plota ne Internacionalen Demokristiane dhe vezhgues tek Partite Popullore Europiane.Ne vitin 2000 ne zgjedhjet lokale u renditen forca e trete politike. Ne zgjedhjet parlamentare te vitit 2005 rikthehen perseri ne parlament me 2 deputetet Nikolle Lesi dhe Ndue Shpani. Zgjedhjet e vitit 2009 i lene jashte dyerve te parlamentit por me besimin se rezultati i arritur ne zgjedhjet e fundit lokale 2011, ku u siguruan 80 mije vota dhe u radhiten nder 8 partite kryesore te shtetit shqiptar, do t’i riktheje perseri demokristianet ne parlament e ne kabinetin qeveritar ne zgjedhjet e 2013-ës.
Eshte partia Shqiptare Demokristiane e Kosoves dhe e Shqiperise te cilat qysh ne prill te vitit 1992 hodhen idete e nje Unioni Shqiptar Demokristian. Per realizimin e kesaj ideje filluan bisedimet dhe shkembimet e delegacioneve, u hodhen idete mbi projekte programore dhe statutore. “Demokristianet e dhane shembullin  e tyre te shkelqyer se si duhet te bashkohen te gjitha partite politike shqiptare ne ceshtjen e madhe te lirise dhe te bashkimit kombetar” – do te shkruaje shtypi i kohes. Partia Shqiptare Demokristiane e Kosoves, Partia Demokristiane e Shqiperise, Partia Shqiptare Demokristiane e Kroacise dhe deget e Partise Shqiptare Demokristiane ne SHBA, Zvicër, Gjermani, Austri te perfaqesuara nga personalitetet e tyre, opinionit atdhetar Shqiptar  i sollen nje gezim te madh. Ata dhane nje shembull te shkelqyer se si shqiptaret duhet te lene te gjitha merite. Ata nisen te funksionojne si Union mbare Shqiptar Demokristian.Unioni Demokristian Shqiptar trashegoi ate tradite te shkelqyer te Kuvendeve Shqiptare per t’i dale zot atdheut e trojeve tona. Çështja kombetare gjithmone ka ndjere ndihmen e madhe qe i eshte dhene nga organizmat politike qe dolen nga Kuvendet e Lezhes 1443, Prizrenit me 1878, Vlores me 1912 e Lushnjes me 1920. Duke besuar ne vazhdimesine e kesaj tradite, duke besuar ne faktin se sa here qe shqiptaret dhe forcat e tyre politike jane bashkuar,ato ja kane arritur qellimit te tyre, demokristianet besonin gjithashtu se edhe kuvendi i Luzernit ne Zvicer i 17 Qershorit 1995 do te jape kontributin e tij ne favor te ceshtjes kombetare. Themelimin e Unionit Shqiptar Demokristian “do ta konsiderojme shenjen e pare, proven e pare te bashkimit te forcave politike te Shqiperise dhe Kosoves”. Eshte fakt qe jane partite demokristiane ato qe te parat kaluan barrieren e “kufijve de jure” duke institucionalizuar nje Union te perbashket, rendesia e te cilit sa vjen e rritet akoma me shume po te kuptosh rolin qe mund te luaj ai sot per te kaluar kete pengese e per te hedhur nje hap drejt bashkimit kombetar deri me tani “tabu” nga te gjitha partite politike.
Integrimi i vazhdueshem i shtetit shqiptar ne strukturat europiane e boterore eshte automatikisht nje kontribut per zgjidhjen e çështjes kombetare. Se pari nje Shqiperi  e forte dhe e suksesshme ne proceset integruese eshte nje Shqiperi e rendesishme dhe imponuese per zgjidhjen e çështjes shqiptare ne keto organizma. Se dyti integrimi total i Shqiperise sjell me vete nje nderkombetarizim te ceshtjes sone, nje sensibilizim te faktorit nderkombetar aq shume te rendesishem.
Nuk duhet te harrojme ata qe luftuan per demokracine e duhet t’u themi brezave se Atdheu eshte gjeja me e shtrenjte, eshte altari i shpirtit, eshte drita ushqyese,eshte krenaria me e madhe dhe pasuria me e çmuar. Atdheu eshte teresia jone prej 10 milionësh te nje gjuhe e te nje gjaku. Eshte teresia e tipareve e virtyteve tona shqiptare e kombetere. Sot ceshtja jone kombetare na kerkon te bashkuar. Shqiperia, per realizimin e reformes se ndryshimit e zhvillimit, na kerkon te mobilizuar totalisht e bashkërisht.
Perpara se te jesh me Partine Demokratike apo me Partine Socialiste secili prej nesh eshte shqiptar. Te kryejme detyren ndaj Atdheut e kombit. Kjo kerkohet nga ne te gjithe. Te edukojme popullin me kulture demokratike e jo me zhargone te rrugeve. Brezi i ri i Shqiperise demokratike duhet te bindet se jemi ne shqiptaret e Shqiperise qe pergjigjemi drejtpersedrejti per fatin e 10 milion shqiptarëve te kudo ndodhur,ato presin nga ne,nga Shqiperia Ame.Cdo sukses i yni eshte nje fitore per ta. Te forcojme shtetin shqiptar,kjo eshte sot detyra e jone. T’ja rrisim autoritetin shtetit shqiptar dhe te kerkojme me force realizimin e aspiratave mbarëshqiptare.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›