Votimi dhe Letra
Prapësimi i opozitës nga bojkoti dyvariantësh - koha e parë si mospjesëmarrje , koha e dytë si bllokim - i përngjan një lumi ledheprishës, tashmë i tërhequr në shtratin e vet. Njerëzia nuk shohin pakësimin e ujërave përmbytëse, por llogarisin dëmet dhe mendojnë me droje, a mos i teket e kthehet e del prapë përmbi brigje? Dëmi është i dukshëm: Shqipëria u vonua dy vjet në përpjekje për të marrë statusin e vendit kandidat, si dhe imazhi i vendit u përkeqësua në përmasë domethënëse. Po sikur opozita e vendit fqinj, të qe kësi lloj lumi e ta vononte Greqinë dy vjet, për të marrë këstin e radhës, të ndihmës financiare për të përballuar pasojat e borxhit të saj proverbial, çfarë do të ngjiste në tokën helene? Ne shqiptarët e kemi të lehtë për ta marrë me mend, nuk na duhet tjetër veçse t’i bëjmë kujtesës një prapaktheu në vitet e fundit.
Katastrofë do të kishte qenë.
Ky krahasim bëhet në popull, për të vënë në pah sjelljet e ndryshme të opozitave.
Interesat e të dy vendeve nxjerrin problematika të veçanta: Shqipëria - ende e paanëtarësuar - bën ç’mos për të përshpejtuar procesin e mbërritjes në BE; Greqia - anëtare themeluese - bën ç’mos për të mbetur në Eurozonë. Të dy vendet janë vendosur para kushtesh të rrepta nga Brukseli: Shqipërisë i kërkohet që, ligjet me shumicë të cilësuar, të kalojnë në kuvend, patjetër edhe me mbështetjen e opozitës së majtë; Greqisë iu vu kusht që nga kësti i radhës nuk do të jepej asnjë cent nëse nuk firmoste edhe kreu i opozitës, Antonis Samaras. Brukseli e pati qartësuar Shqipërinë se, pa u përmbushur të 12 rekomandimet, nuk ka status. Dhe, ashtu ndodhi. Dy vjet radhazi lartësia e kësaj steke politike nuk u kapërcye dot. Brukseli i foli troç Athinës, harroji paratë nëse nuk do të hidhet edhe firma e pestë.
Deri këtu, opozitat duken njëlloj, vendet kanë problemet e veta, kapërcimi i situatave të vështria nuk mund të kryhet pa pjesëmarrjen e tyre. Por, pas kësaj përvijohen dallime thelbësore. Opozita e Shqipërisë nuk u tërhoq nga veprimi i gabuar politik as para domosdoshmërisë strategjike të vendit - një orë e më parë në BE, as nga ndihma, thirrjet dhe trysnia e faktorit euro-amerikan. Kjo nuk zgjati dy javë a dy muaj, por plot dy vjet, e përllogaritur mbi dy data kalendarike pasardhëse, zgjedhjet e 8 majit dhe kongresin e PS, të 5 nëntorit. Vërtetimi u krye: kryetari i PS Edi Rama, nga zgjedhjet dhe kongresi, doli i dëmtuar, por e përballoi mbijetesën në detyrë dhe prandaj bojkotin e cilësoi si një politikë që ia arriti qëllimit. Dhe, kjo opozitë që bojkotoi në mënyrë verbër - asnjë opozitë në të ardhmen nuk do të përsërisë këtë model - aktivizoi pjesëmarrjen në kuvend, nisi të japë votën për ligjet me shumicë të cilësuar, thua sikur deri tani s’kishte ndodhur kurrgjë. Kreu i opozitës greke kundërshtoi prerë se nuk do të firmoste në dokumenta për marrjen e këstit kritik, por në ditët kur Greqia flet me vete, Antonis Samaras dha zgjidhjen, për të mos e lënë vendin si peshku në zall. Ai nuk hodhi firmë, por dërgoi letër drejt Brukselit, me të cilën siguroi se merrte përgjegjësitë e veta dhe mbështeste zbatimin e kushteve të shtruara nga Bashkimi Europian për të përballuar fatkeqësinë kombëtare.
Kjo shënoi dallimin rrënjësor mes dy opozitave kundrejt fateve të vendeve të tyre.
Nëse Shqipëria nuk do të kishte problem çështjen e statusit, por ajo të gjendej para ndërthurjeve, mos heqjen e vizave dhe të një borxhi allagrek, opozita jonë ka dhënë prova të mjaftueshme, jo vetëm se nuk do të kishte dërguar letër, jo vetë se nuk do të kishte hedhur firmë, jo vetë se nuk do të kishte dëgjuar thirrjet, por do të kishte brohoritur, “Rrofshin ato!”, dhe me të dyja - mos heqjen e vizave dhe katastrofën e një borxhi të atillë, do t’i quante të mjafta për ta mbajtur vendin në një 21 janar të vazhdueshëm, deri sa të vinte në pushtet të parakohshëm. Kjo nuk është hamendje, por e vërtetuar - hiç më pak, por dy vjet me radhë. Ndërsa, sikur heqja e vizave të varej nga opozita - dhe ato të mos hiqeshin, sikur vendi të ishte kredhur në një borxh grek - dhe ekonomia të falimentonte, ato nuk do të qenë më alibi dhe, opozita do t’i quante të drejta të gjitha veprimet, edhe bojkotin, edhe bllokimin, edhe dhunën.
Opozita jonë e mbajti peng për dy vjet marrjen e statusit të vendit kandidat. Opozita e Greqisë nuk e mori peng as një javë këstin për borxhin. Ata i morëm paratë, ne nuk e morëm statusin. Ky përbën ndryshimin e jashtëzakonshëm në raport me përgjegjësitë ndaj interesave kombëtare, në një shoqëri demokratike.