E Shtunë, 31 Tetor 2026

200 mijë euro për 1 javë

Qeveria e Kosovës po ua sheh hairin veturave me të vjetra se tetë vite. Vetëm për një javë janë importuar 200 mijë euro me vendimin e ri. Nga Express më 11 korrik 2011 në ora 11:11

Rreth 200 mijë euro janë arkëtuar gjatë një jave, si rezultat i zbatimit të normës së re të akcizës në automjete. Sipas zyrtarëve të Doganave të Kosovës, ka fluks të importimit të makinave më të vjetra se tetë vjet, aq sa ka qenë kufizimi deri tani.

Sipas tyre, numri i makinave të importuara pritet të jetë shumë më i madh pas vendimit të Qeverisë për lejimin e importit deri në 13 vjet.

Zbatimi i normës së re të akcizës për automjete ka filluar të japë rezultatet e pritura për mbushjen e buxhetit të Kosovës. Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, thotë se gjatë javës së parë të korrikut, prej kur ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë, të hyrat për buxhetin e shtetit kanë qenë të mëdha.

“Që prej fillimit të aplikimit të akcizës së re dhe lejimit të importit deri në 13 vjet, janë importuar rreth 100 automjete. Të hyrat e mbledhura janë mjaft të mëdha, kemi mbledhur rreth 200 mijë euro nga fillimi i aplikimit të këtij vendimi”, thotë Stavileci. Ndonëse bëhet fjalë për një periudhë të shkurtër kohore, ka filluar të dominojë importi i veturave më të vjetra se tetë vjet.

Sipas të dhënave zyrtare, nga 1 korriku, në Doganat e Kosovës janë zhdoganuar 70 vetura më të vjetra se tetë vjet, por nga ana tjetër janë importuar edhe 7 automjete të reja, për të cilat nuk paguhet akcizë. Stavileci sqaron se deri në vitin 2004, kur ka filluar të zbatohet akciza në automjete, janë importuar rreth 25 mijë automjete në vit.

“Dhe, pas hyrjes në fuqi të vendimit për kufizim prej tetë vjetësh të vjetërsisë, kemi pasur import mesatar vjetor prej 12-13 mijë vetura. Kurse presim që pas lejimit të veturave deri në 13 vjet, kjo të arrin shifrën mbi 15 mijë vetura. Deri para hyrjes se ne fuqi te ligjit për ndalimin e importit te veturave me te vjetra se 8 vjet, importoheshin 25 mije automjete ne vit”, shton Stavileci.

Me ndryshimin e akcizës në automjete, Qeveria synon të arkëtojë rreth 20 milionë euro. Vlera e përgjithshme e bazës doganore të këtyre veturave është vlerësuar të jetë rreth 250 mijë euro.

Sipas vendimit të Qeverisë, për veturat me kilometrazh “00” nuk ka akcizë fare. Për veturat deri në 2.000 kubikë dhe deri në 8 vjet të vjetra, norma e tatimit të akcizës do të jetë 500 euro, për ato 9 vjet - 700 euro, 10 vjet - 800 euro, 11 vjet - 900 euro, 12 vjet – 1.000 euro, ndërsa 13 vjet e vjetër do të paguajë akcizë prej 1.100 eurosh. Deri më tani në Kosovë është lejuar importi i veturave të vjetra deri në 8 vjet me akcizë prej 500 eurosh.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›