E Shtunë, 31 Tetor 2026

2010 - Realiteti i shqiptarëve dhe euforia e qeverisë

Këto ditë, qeveria prezantoi me shumë eufori buxhetin e vitit 2010, duke e konsideruar atë më të mirin në historinë e Shqipërisë. Po këto ditë, shumë studiues dhe institucionet ndërkombëtare po analizojnë ecurinë e vendeve të Europës Lindore 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit. Sipas tyre, rezulton se vështirësitë e tranzicionit janë më të mëdha se sa pritej. Njëkohësisht duhet pranuar se ambiciet tona për t‘iu afruar sa më shumë standardeve të vendeve të Europës Perëndimore, kanë qenë të mbivlerësuara, por jo utopike. Ka vende që e kanë përmirësuar ndjeshëm ekonominë e tyre, ndërsa ka vende që janë akoma larg apo shumë larg niveleve mesatare. Të gjitha këto analiza të kryera në këtë përvjetor mund të na orientojnë drejt përgjegjësisë për t‘i bërë më mirë detyrat e shtëpisë, kur bëhet fjalë për reforma që pengohen nga populizmi i qeverive në rotacionet e tyre politike. Kostot që paguajnë vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak të përhapjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar, të dobësisë së institucioneve, të paaftësisë së administratës publike, të paqartësisë së pronave, janë akoma shumë të rënda. Revista "The Economist" bënte një analizë të tranzicionit të vendeve të Europës Lindore pas rënies së Murit të Berlinit.

Your browser may not support display of this image.

Bazuar në shifrat e institucioneve ndërkombëtare, rezulton se Shqipëria edhe në vitin 2009 mbetet akoma vendi më i varfër edhe i Ballkanit Perëndimor. Nëse në vitin 2009 të ardhurat e Serbisë do të jenë 5.480 dollarë për frymë, të Maqedonisë 4.410 USD, të Malit të Zi 6.510, të Bosnjës 4.480, të ardhurat për frymë të Shqipërisë do të jenë vetëm 3.450 dollarë ose afërsisht 10% e të ardhurave për frymë të vendeve të Europës Perëndimore. (The world after 1989. http://www.economist.com/)

Pas rreth 20 vjet tranzicion 1989-2009, akoma nuk kemi arritur të bëjmë një kapërcim cilësor në raport edhe me vendet e rajonit, ku disa prej tyre, edhe pas viteve ‘90, kanë qenë të përfshirë nga konflikte etnike e fetare. Distanca jonë me vendet europiane dhe me vendet e rajonit, do të duhet të ngushtohet apo dhe kapërcehen nga ritmet e larta të rritjes ekonomike, e bazuar jo në deficite dhe borxhe publike të mëdha, por te produktiviteti më i lartë i ekonomisë shqiptare. Treguesit që vijnë nga qendra të specializuara për aftësinë konkurruese të Shqipërisë krahasuar me vendet e tjera, nuk janë optimiste, për më tepër kur shikon treguesit e ekonomisë së dijes, ekonomisë së të ardhmes, ku jo vetëm jemi vendi me nivelet më të ulëta, por në disa prej tyre edhe larg vendeve të rajonit. Pa mohuar rëndësinë që ka infrastruktura në zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi, aq më tepër për shkak të prapambetjes së trashëguar, ajo nuk mund të jetë gjithçka në sfidat afatgjata. Qëllimi i ritheksimit të këtij fakti nuk është për të nxitur debatet partiake, por për të qartësuar sadopak realitetin tonë. Me këtë nivel të të ardhurave për frymë krahasuar me Europën Perëndimore dhe me vendet e rajonit është shumë e vështirë të jesh qeveri euforike, hipokrite dhe aq më pak arrogante ndaj realitetit dhe sfidave të vendit. Këto fakte dhe sfida imponojnë, pse jo, edhe konsensuse kombëtare për disa reforma të rëndësishme, të cilat nuk janë thjesht reforma të një qeverie, por strategji kombëtare të detyrueshme për çdo qeveri në periudhat afatmesme dhe afatgjata. Euforia e qeverisë shqiptare, kredibiliteti i cenuar i saj, mund të jenë pengesa reale që edhe në përvjetorët e ardhshëm të rënies së Murit të Berlinit apo momente të tjera historike të jemi sërish nga fundi krahasuar me treguesit ekonomikë e socialë dhe të parët për nga euforia dhe paaftësia e qeverisjeve tona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›