2010, Qeveria, 12.7 miliardë lekë për spitalet
Garantohen barnat e spitaleve, si dhe pagesat e personelit shëndetësor. Dje qeveria ka miratuar parimisht vendimin për “Financimin e Shërbimeve Shëndetësore Spitalore për vitin 2010 nga Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Kjo do të thotë se vendimi është miratuar si koncept i përgjithshëm, ndërkohë që detajet e shumave që do të ndahen për çdo njësi, si dhe hollësira të tjera pritet të miratohen në mbledhjet e ardhshme. Ndërkaq, vendimi i miratuar në parim, i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë plotësimin e disa kritereve duke i vendosur edhe afate konkrete. Ndërkohë që sipas ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, ky vendim ndihmon edhe procesin e reformës në shëndetësi, hap ky i ndërmarrë tashmë i cili nuk mund të ketë asnjë hap mbrapa.
FinancimiPër vitin 2010 në shërbimin shëndetësor do të financohen 12.7 miliardë lekë për shpenzimet operative ose 14% më shumë se shpenzimet e vitit të kaluar, si dhe 3.2 miliardë lekë investime buxhetore do të shkojë kryesisht për blerjen e medikamenteve. Nëpërmjet këtij vendimi sigurohet rritja e autonomisë së spitaleve në prokurimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore, duke rritur edhe gamën e tyre për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, është shprehur se: “ky vendim është rikonfirmim i mbështetjes së qeverisë për përmirësimin cilësor të shërbimit spitalor.
Objekti kryesor i reformës në financimin e shërbimit spitalor është rritja e eficencës së financimit dhe pa dyshim përmirësimi i performancës së këtij sistemi. Reformat e nisura nuk kanë kthim mbrapa”.
PropozimiPo ashtu në këtë vendim propozohet që standardet e spitaleve dhe treguesit e cilësisë e të performancës të miratohen nga Ministria e Shëndetësisë brenda tetorit të këtij viti.
Në vendim Ministrisë së Shëndetësisë i është kërkuar të përcaktojë protokollet e diagnozës dhe të trajtimit, për çdo shërbim. Kjo procedurë duhet të mbyllet deri në fund të muajit tetor. Në vendim është propozuar gjithashtu që spitalet dhe Instituti i Sigurimeve Kujdesit Shëndetësor janë të detyruara të llogarisin koston e çdo shërbimi, në përputhje me kriteret e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë, brenda 1 viti pas miratimit të standardeve dhe protokolleve të diagnozës dhe të trajtimit. Pak kohë më parë, qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” publikoi shifrën e borxheve të akumuluara gjatë dy viteve të kaluara. Kjo faturë borxhesh vendoste në vështirësi Qendrën Spitalore për nënshkrimin e kontratave të reja të barnave, me furnizuesit me ilaçe, me të cilat janë prishur kushtet e kontratës. Vendimi i Këshillit të Ministrave, sipas shëndetësisë garanton fondet për ilaçe, si dhe pagesat e personelit shëndetësor për këtë vit.