E Shtunë, 31 Tetor 2026

U akuzua për influencim nga lobingjet

Luksemburg Eurostat përgënjeshtron: Jemi të paanshëm në punën tonë

Agjencia Statistikore Europiane, Eurostat, ka mohuar akuzat që i janë bërë së fundi nga belgët në lidhje me disa vendime të marra prej saj që janë influencuar nga lobingjet e shteteve të fuqishme të Europës. “Roli i vetëm i Eurostat është që të trajtojë të gjitha vendet anëtare në mënyrë të njëjtë”, ka deklaruar agjencia me bazë në Luksemburg. Të hënën, Komisioni Europian u ka kërkuar vendeve anëtare që t’i japin Eurostatit një pushtet auditues në kundërpërgjigje të dyshimeve në lidhje me të dhënat greke. Por, një ditë më pas, ministri belg i Financave deklaroi se çdo ndryshim në dhënien e përgjegjësive të reja duhet të shoqërohej me një ndryshim të brendshëm të institucionit për të rritur, pavarësinë e tij, si edhe transparencën. Më pas, ministri tha se i vinte keq që kishte pasur disa raste kur, sipas tij, të dhënat e Eurostatit ishin ndryshe nga realiteti. Në fakt, agjencia e statistikave nuk ka qenë imune ndaj kundërshtive. Në vitin 2003 tre zyrtarë të lartë u larguan nga detyra pas zbulimit se ata punonin me standarde të dyfishta.

Kërkesa e komisionit për dhënien e pushtetit auditues Eurostatit pason dyshimet e fundit në lidhje me besueshmërinë e të dhënave greke që lanë shumë për të dëshiruar. Greqia nuk kishte qenë e sinqertë me partnerët europianë për dhënien e të dhënave të sakta dhe reale në lidhje me deficitin buxhetor. Komisioni e ka bërë një kërkesë të tillë edhe në vitin 2005, por atëherë kjo kërkesë u refuzua nga vendet anëtare që nuk donin t’i jepnin një pushtet shumë të madh organizatës me bazë në Luksemburg. Eurostat nuk ishte në dijeni të fshehjes që Greqia po u bënte të dhënave të buxhetit në materialet që i kishte dërguar dhe sipas vetë agjencisë, ajo nuk di ende shumë gjëra në lidhje me fshehje të tjera të mundshme, si marrëdhënia e shtetit grek me “Wall Street” etj.
Për sa i përket Greqisë, ajo ka afat deri më 19 shkurt për t’i dhënë informacion Eurostatit në lidhje me faktorët që ndikuan në krijimin e deficitit shumë të madh buxhetor.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›