2011-a do çlirojë Shqipërinë nga barrikadat e bllokmenëve të rinj

Mbyllet edhe formalisht çështja e hapjes së kutive. Në daljen e parë për mediat në 2011-n, kryeministri Sali Berisha konfirmon reformat për marrjen e statusit të kandidatit për në BE, por mbyll çdo rrugë që ta shndërrojë konsensusin politik në një pazar që do të shpëtojë Edvinin nga pensioni politik
Berisha: Edi Rama ka punuar vullnetar, 18 orë në ditë, për ndërtimin e mauzoleumit të diktatorit
Kryeministri Sali Berisha nga selia e kryeministrisë i ka ripërsëritur opozitës qëndrimin e mazhorancës, e cila mbetet e hapur për bashkëpunim me opozitën gjithnjë duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Këtë qëndrim, Kryeministri Sali Berisha e konfirmoi dje në një konference për shtyp, ku prezantuar, Eneida Guria, Drejtoreshën Ekzekutive të Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA).
Kreu i qeverisë Berisha vuri në dukje se qeveria ka bërë gjithçka për të respektuar kërkesat dhe pretendimet e Ramës në lidhje me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, por Rama së bashku me deputetët e opozitës kanë kundërshtuar vazhdimisht këtë fakt duke rënë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Kryeministri Berisha theksoi se në lidhje me opozitën qeveria i ka ofruar asaj të gjitha opsionet e mundshme për të zgjidhur ngërçin politik.
“Qeveria ka ofruar shumë për opozitën, por ajo kërkon hetim pa fakte. Edi Rama bojkotoi parlamentin dhe ai u frikësua nga djegia e mandateve e kishte për qëllim bllokimin e vizave”, u shpreh Berisha.
Duke qenë se viti 2010 u mbyll pa arritjen e një konsensusi për zgjidhjen e krizës politike mes dy forcave më të mëdha politike, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, kreu i qeverisë Sali Berisha deklaroi ditën e djeshme nga selia e kryeministrisë se mosarritja e një konsensusi midis tyre vjen si rezultat i opozitës. Sipas Berishës, pavarësisht lëshimeve që i bëri mazhoranca, opozita tha ai ka një problem madhor, dhe kjo është logjika e bunkerëve.
“Rama, ky njeri që ditën e zgjedhjeve e quajti historike, kur nuk fitoi doli dhe tha se nuk e njihte rezultatin dhe Parlamentin. Më vonë, ky zotëri që bojkotoi Parlamentin, u betua e stërbetua se do të digjte mandatet, por nuk i dogji. Kjo, sepse një grup i vogël brenda PS tha se nuk i djegim mandatet. Dhe nëse ai bëri që të mos digjeshin mandatet, e bëri për interesin e tij dhe jo të vendit”, shtoi Berisha.
Kryeministri Berisha tha se i gjithë problem i opozitës qëndron te njeriu që udhëheq këtë forcë politike, te Edi Rama. “Opozita ka një problem. Problemi madhor i opozitës është psikologjia bunker, e një njeriu që nuk ndan asgjë me normat e këtij sistemi”, deklaroi midis të tjerave kryeministri Berisha, ndërsa duke ju përgjigjur më pas edhe interesimit të gazetarëve, Kryeministri shtoi se qeveria i vendosi standardet për zgjedhjet dhe do bëjë gjithçka për statusin e vendit kandidat.
Për sa i përket qëndrimit lidhur me opozitën, do t’i përkasë vitit të kaluar apo do të ketë përpjekje, duke pasur parasysh se 2010 u mbyll në pikën zero të konsensusit?
Meqenëse më pyetët unë bëj këtë koment. Kjo qeveri në respekt të palëkundur të opozitës ka ofruar aq sa janë jo një, por të shumtë miqtë e mi në Evropë që në mënyrë të përsëritur më kanë deklaruar se këto nuk ofrohen kurrë. Unë i kam bërë këto pikërisht për konceptin tim për opozitën. Opozita ka një problem. Problemi madhor i opozitës është psikologjia bunker, e një njeriu që nuk ndan asgjë me normat e këtij sistemi. Të jeni të sigurt që nuk ndan. Ndan gjithçka me konceptet e kontraktuara në bllok, aty ku u formua. Edhe ai që më kundërshton mua këtë, le të më nxjerrë një alternativë të tij dhe të thotë se e kam gabim. Ky zotëri që e quajti historike ditën e votimit, kur nuk i doli rezultati që mendoi u rikthye në origjinë, duke thënë se nuk njihte votën, se nuk njihte rezultatin, nuk njihte parlamentin. Më pas, tha se e njihte rezultatin. Pa pyeteni njëherë, se mbi cilën bazë, mbi cilin moral u tha shqiptarëve se nuk ua njihte votën se nuk e njihte rezultatin dhe pastaj tha se e njihte rezultatin. Më vonë, ky zotëri që bojkotoi parlamentin, duke i ofruar të gjitha ato që kishte rezoluta, betohej e stërbetohej se do të digjte mandatet, nuk i dogji mandatet. Por ju e dini pse nuk i dogji mandatet. E vërteta është se shqiptarët duhet ti jenë mirënjohës, atij grupi fare te vogël deputetësh, të Partisë socialiste, të cilët i thanë se "ne nuk i djegim mandatet" dhe mos mendoni se kanë qene shumë. Ai e pa se mandatet do t’i merrnin kundërshtarët e tij në parti dhe në qofte se pranoi që të mos digjeshin mandatet, e bëri për interesin e tij dhe jo të vendit. E bëri vetëm për karrigen e tij, sepse e pa se do të mbetej krejtësisht G 99. Kuptohet që do të futeshin nga lista. Socialistë të përgjegjshëm shprehën masivisht gatishmërinë që do të hynin në parlament dhe ndaj u futen në parlament pas gjashtë muajsh, pa u thënë shqiptarëve pse ndenji jashtë,6 muaj rresht. Paraqiti kërkesën për një komision hetimor parlamentar. Kërkesa iu votua dhe ai nuk e deshi sepse kërkoi që ti drejtohej Gjykatës Kushtetuese, ti drejtohej bashkërisht. Unë nuk përdor shprehje por ju i nxirrni vetë, Ti thuash dikujt, duke u ankuar për të, "eja dhe padit veten në Gjykatë", duhet të kesh atë koeficient intelektual që ke, që të bësh një kërkesë të tillë. Por nuk është çështje koeficienti intelektual, është çështje mendësie blloku. Është mentaliteti i bllokmenit. Iu kërkua të shkonte në Komisionin e Venecias, shkoi qeveria në Komisionin e Venecias. Të gjithë këto i bëri për të penguar vizat. Vizat ishin qëllimi i tij më madhor. Çfarë bëri ai, pasi hyri në parlament? Nisi grevën. Përse nuk e nisi grevën para se të hynte në parlament? Greva ishte forma më serioze e presionit. Hyri në parlament dhe rreshtoi çadrat dhe kutitë para kryeministrisë. Edhe atëherë i çova fjalë se duke ndenjur tek dera e kryeministrisë, kryeministër nuk bëhesh kurrë. Nuk është kjo rruga që të bën kryeministër. Kryeministri, normal që do tu zgjidhë problemet, të gjithë atyre që vijnë tek dera e kryeministrisë, por ata që vijnë tek dera nuk vijnë për tu bërë kryeministër, por vijnë për të zgjidhur halle. Kjo është e vërteta. Ai bëri gjithçka për të bllokuar vizat. Me ftohtësi dhe tepër qesharak, një ditë pas vendimit, bënte letër dhe kërkonte vizat. Ky zotëri bëri gjithçka që të bllokojë vizat dhe unë mendoj se ky ka qenë një krim moral shumë i rëndë. Unë kam marrë me mijëra e mijëra mesazhe dhe kurrë në jetën time nuk kam marrë mesazhe, me frymë më njerëzore, se çfarë kam marrë gjatë dy muajve fundit, të panumërta. Njerëz që shkojnë për të parë fëmijët e tyre, familjarët e tyre, shumica nuk mendonin kurrë se do të shkonin ti shihnin. Qytetarët shqiptarë, që dorëzojnë një pasaportë me cilësitë më të larta, të cilëve iu vendoset një vulë, pa kërkuar vizë, pa asgjë. Kjo është një arritje e jetës për qytetarët. Ai e përjashtoi forcën e tij politike. Forca e tij politike mund të ishte bashkautorë pa asnjë vështirësi. Të votonte ligjin për konfiskimin e aseteve, por jo ta nxiste dërgimin e tij në gjykatë, me shpresën se mund të bllokonte vizat. Të votonte ligjin për antidiskriminimin e pakicave, por jo të shpërndante e të shpifte duke i thënë botës se Berisha tha, se ligjin e beri për kryetarin e opozitës. Nuk e kam thënë kurrë atë. Sepse unë ligjin e kam bëre me ndërgjegjen më të plotë. E kam bërë me bindje dhe kënaqësi. Unë kam bindjen, se asnjë pakicë nuk duhet të trysnohet në këtë vend dhe të jeni të sigurt se do të punoj që ai ligj të ketë të gjithë dimensionet, në shoqërinë shqiptare. Nuk mund të themi se monizmi nuk ka lënë gjurmë dhe tek prirjet për linçime, edhe tek prirje të tilla, të cilat nuk janë të përshtatshme, për një komb të qytetëruar dhe kjo ka qenë arsyeja themelore, pse unë e kam mirëpritur dhe me ndërgjegje të plotë kam nxitur votimin e këtij ligji, duke bërë që Shqipëria të ishte një nga vendet e pakta me një ligj të tillë, por kam qenë i bindur, jam dhe do të jem se ky ligj ka qenë i domosdoshëm për shoqërinë shqiptare. Në një vend të lirë njerëzit duhet të jenë të lirë, pavarësisht nga pozicioni në të cilën ata janë. Njërin nga këto ligje po të votonte, jo të dy, i jepte mundësinë opozitës të bëhej pjesëmarrëse, në procesin e vizave. Por ai shpresonte, absolutisht deri në momentin e fundit, njëlloj siç bëri me të dërguarit e tij në Bukuresht, që mashtronin në media, duke raportuar se Shqipërisë nuk po i jepej ftesa, deri në momentin e fundit me 99-shat e tij hapte lajmin se nuk do të merrej vendimi për Shqipërinë. Unë e kam thënë dhe e them se nuk ishte vendim i lehtë sepse ndryshuan disa gjera, jo për faj të Shqipërisë, por problemet e emigracionit, u bënë problematikë madhore në disa vende dhe e kam thënë dhe e them, se në qoftë se do të bëhej me referendum, asnjë popull nuk do të votonte për heqjen e vizave, ndër vendet e zhvilluara, sepse ata kanë problemet e tyre dhe nuk duan ti shtojnë. Pra, është kryetari problem dhe jo qeveria. Ju i patë seancat. Do të mbeten të pashlyera në memorien time, dy seancat e fundit. Solli kërkesën, hetim. A e dini ju përse nuk e pranon fjalën fakt? Është shumë i pandershëm sepse në aty në kërkesën e tij, ai thotë kemi fakte. Por, ti nuk ke fakte të përbaltësh votën e shqiptarëve, pasi nuk mund ta bësh dot kurrë këtë. Unë kam respekt maksimal për opozitën, por në mënyrë absolute nuk do të ketë forcë, e theksova dhe në parlament, se në se mafia shqiptare do të përpiqet, të nëpërkëmbë votën e shqiptarëve do të dështojë sepse vullneti ynë është i hekurt që shqiptarët të votojnë të lirë. Ne bëmë përpjekjet më maksimale që shqiptarët të votonin të lirë. Duhet të dini një gjë, që ky vend ka një kontribut historik në standardet që vendosi për numërimin e votave. Çdo vend ka problem në numërimin e votave, diku më shumë dhe diku më pak, por kjo është më se normale. Ajo që bëmë ne, me filmim, projektim, fotografim transmetim direkt, ai është standardi më i lartë deri më sot dhe është një nga zhvillimet me pozitive. U rinumërua Shkodra, zona ku ai pretendonte se ne kemi bërë batërdinë më të madhe. Dhe diferenca në mijëra vota, doli vetëm një votë. Është gabimi më minimal që mund të bëhet. Ky zotëri shkruante 35 herë fjalën hetim, pa vendosur fjalën "fakt", ose "prova", siç e kërkon ligji. Kjo është e turpshme, nuk mund të bësh hetimin pa fakte pasi thyen parimin me themelor. Vetëm në romanet e Kafkës. Lexojeni “Procesin” e kafkës, Jozef K, një punonjës banke, arrestohet dhe vendoset në arrest shtëpie, pa bërë asgjë. Ky është hetimi pa fakte. Ky është koncepti i bunkerit. Përse e quajmë ne atë bllokmen sepse vetëm nga blloku mund të vijë një koncept i tillë. Ky vend ka njohur çdo gjë dhe kur unë u akuzova për krime kundër njerëzimit, 8 muaj para Sllobodan Millosheviçit, të paktën paraqitën një provë, një shishe Coca-Cola, me limonadë, kurse ky nuk ka asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë dëshmi dhe kur bashkëpunëtorë të tij i thonë se kjo është e turpshme. Është kriminale që të tentosh të nëpërkëmbësh votën e qytetarëve shqiptarë. Këtë ai e bën pa u skuqur, pa u zbehur, pa asgjë. Zëvendëson fjalën hetim me kontroll, duke harruar se janë nene krejtësisht të tjera të kushtetutës ato që autorizojnë kontrollin e parlamentit dhe ky kontroll bëhet nga komisione permanente dhe neni 77 i kushtetutës i këtij vendi dhe çdo nen paralel i kushtetutave të vendeve demokratike përcakton hetimin dhe jo kontrollin. Pra nuk është problem qëndrimi i qeverisë. Qeveria ka treguar se ka vendosur dhe do të vendosë standardet më të larta ndaj opozitës, por qeveria nuk do të mund të pranojë kurrë shkelmimin e parimeve me themelore të një shoqërie të lirë. Në Shqipëri ka neobllokmenë si ky që duan të shkelmojnë votën. Ekstratokësorë? Jo ai është tokësor dhe drejton forcën politike kryesore. Pra, nuk bëhet ndryshe. Qeveria ka qëndrimin e vet shumë të qartë, do t’u ofrojë bashkëpunimin e vet maksimal në kuadrin e parimeve themelore, të lirisë, të kushtetutës, të rendit. Qeveria mund të bëjë çdo gjë por nuk ja heq dot nga koka, bunkerin zotërisë së tij. Atë e ka trashëgim. I takon socialistëve që për një vit e gjysmë rresht u tha se po nuk u hap kutia dhe rinumërua vota do të bëhej gjëma, e më pas u thotë se nuk e kam kërkuar rinumërimin e votës. Megjithatë nuk doja ta kujtoja, por meqë më bëtë pyetjen. Qytetin e la pa koncert. Mund të shkonte kudo me pushime dhe kjo është normale, por duhet të organizonte një aktivitet. Sepse është ai në zi, shqiptarët nuk janë në zi. Shqiptarët festojnë me optimizëm zhvillimet e tyre. Ata janë më optimistë se kurrë. Kanë një ekonomi vibrante, e cila i bën të mundur kësaj qeverie të realizojë të gjitha projektet e veta.
Partia Socialiste ka deklaruar që në datën 30 dhjetor se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj të kushtëzuar me parlamentin, çka do të thotë se nuk do të votohen reformat që kërkohen për të marrë statusit të vendit kandidat këtë vit...?
E kam theksuar se në qoftë se do hapet rruga për të përdhosur votën, të ardhme shqiptarët nuk do të kenë. U takon shqiptarëve ta vendosin dhe do ta vendosin. 8 maj është një datë, në të cilin shqiptarët do të dinë mençurish të përcaktojnë të ardhmen e tyre, do të dinë të çlirohen në mënyrë përfundimtare nga psikologjia e bllokut. Ne kemi të bëjmë me një restauracion të vërtetë në Partinë Socialiste. Absolutisht, me një proces të restauracionit. Në histori ky proces është i njohur dhe quhet restauracion kur rikthehet një dinasti apo në rastin konkret, kur rikthehet një mentalitet, është restauracioni i psikologjisë së bllokut, si kurrë ndonjëherë. Ju e patë se çfarë bëri për piramidën, për mauzoleumin e Enver Hoxhës, që kishte punuar vetë 18 orë vullnetar dhe absolutisht, i filmuar. Gjersa nuk do të shkëputet dhe gjersa i del zot e bën një muaj betejë për të ruajtur mauzoleumin e të atit të tij shpirtëror, nuk mund të them gjë tjetër, por vetëm faktoni atë që unë them se ai është një qenie, kreaturë e bunkerit të Bllokut. Ju keni fatin e madh se jeni të rinj dhe nuk e keni njohur bllokun, por fatkeqësia është se çdo gjë ai e ka të lidhur me psikologjinë e kontraktuar në bunker.
Po thoni se edhe këtë vit nuk mund ta marrim statusin e vendit kandidat?
Unë ju siguroj se këtë vit qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorë për të përmbushur detyrimet e saj, por një gjë qeveria nuk mund të bëjë kurrë, të udhëheqë opozitën. Kjo as në tentativën më të vogël. Në qoftë se ka një gjë nga karriera ime politike, është se politikën unë e bazoj në moral. Morali dhe normat mia nuk më lejojnë të bëj as edhe hapin më të vogël, përveçse ofertave publike ndaj opozitës. Se çfarë do të bëjë opozita, ajo përcaktohet prej saj. Por kjo është situata. Një opozitë që kërkon hetim pa fakte, sepse kjo opozitë drejtohet nga një bllokmen, për të cilin faktet nuk mund të pranohen, për të cilin pushteti o atij, o kurrkujt tjetër, i cili kërkon të ngjitet në një majë që nuk do ta kapë dot kurrë. Ky është problemi. Në bunker do të mbetet gjithë jetën. E them hapur. E shoh me shumë optimizëm këtë problem.