E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nusja e Piramidës, Olta Xhaçka hap vitin politik të opozitës për 2011-ën

05-01-2011 / Nga Shqipe Xoxi

Thagma ndodhi. Partia Socialiste ka reaguar rrufeshëm pas deklaratës së kryeministrit Berisha se “kutia i përket të kaluarës ngase Edvin Rama kërkoi hetim pa fakte” nëpërmjet deputetes Olta Xhaçka, që për të gjithë njerëzit mbahet mend veç për fejesën e saj me djalin e Shemsie Kadrisë, boses së firmës piramidale Gjallica. Është padyshim një gjetje simbolike e kryetarit të PS-së për të filluar aktivitetin politik të këtij viti të rëndësishëm vendin dhe për fronin e Partisë së tij, me një përfaqësuese që s’ngërthen asnjë meritë politike a institucionale. Ajo tha se kutia e mbyllur është baza e pushtetit të vjedhur. I njëjti refren i mëparshëm.
Afërmendsh nuk është çudi që opozita socialiste s’kish si të mos ta bënte sefte me një konferencë për shtyp, ku u lexua hartimi i ndritur, i parë, i modeluar sipas mesazhit të Edvinit nga pushimet e stërzgjatura në Paris. Vuvuzela e parë e muajit janar është binjake me 18 muaj e kaluar të PS-së në kërkim të kutisë së humbur, pardon të mbyllur. Thirrja për xhihad e predikuesit të urrejtjes politike e sociale kurdoherë maskohet nga qëllime, në të tjera momente të vyera, si transparenca e votës. Në seancën e fundit të vitit të kaluar deputetët e PS-së ofruan një propozim tërësisht antikushtetues, të bazuar në hetim të dyshimeve, të pabazuara në asnjë fakt. Dhe kjo strategji përkthehet qartë në përpjekje për dhunim të votës të 28 qershorit 2009. Ky ndryshim mendje i kryesocialistit erdhi si pasojë e vendimit që dha prokuroria e Shkodrës, e cila provoi pas numërimit të votave se nuk ka pasur asnjë manipulim.
Kuptohet vetiu se kauza e kutisë mori jetë dhe u sajdis me protesta dhe greva urie sepse me do kusht kërkonte të mbante dhe mbajti drejtimin e partisë, duke e justifikuar me mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve. Një gjë të ngjashme reflektoi dhe me kërkesën për rinumërim të votave, duke hequr dorë papritur prej saj, pasi e kërkoi prej më shumë se një viti.  Boshti i kërkesës së opozitës është kultura e dyshimit të paracaktuar në tavolinë, pa asnjë indicie a provë. Duke ngritur dyshime pa pasur fakte ri-sjellin në opinionin publik një komunizëm mendor të sëmurë që pjell shpifjen dhe rrejshmërinë e realitetit.
Sidoqoftë viti politik 2011 do të dominohet padyshim nga zgjedhjet për pushtetin lokal që pritet të mbahen në datën 8 maj, me ose pa pjesëmarrjen e PS-së. Ende nuk dihet se si opozita do të justifikojë mbylljen e “debatin” pa fitim, për zgjedhjet e kaluara para se të shohë përpara në raundin elektoral të 8 majit. Opozita ka paralajmëruar se do të vazhdojë protestat dhe do të ruajë marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin deri sa Edi Rama të pronësojë demokracinë e 20 përqindëshin.
Në përfundim si në nisje të vitit politik Edi Rama shpenzon konferenca të panumërta për shtyp për të gatuar një çorbë të vjetër, të pa shijshme, amorale dhe diktatoriale. Agjenda konfliktuale e ripërsëritur në gojë më gojë, si një virus i tmerrshëm fsheh synimin parak të bolshevizëm që mbisundon partinë e dytë të vendit. Qeliza të së kaluarës, si Gramoz Ruci apo Namik Dokle dhe Skënder Gjinushi transmetojnë një hije të kobshme sa herë marrin frenat e politik-bërjes së opozitës së sotme socialiste. Ameba një qelizore si Erjon Veliaj apo Spartak Ngjela gjallojnë në fund të balenës së sëmurë nga plogështia politike dhe intelektuale.
Në një këndvështrim të përgjithshëm, janari i 2011-tës i opozitës përfaqësohet nga personazhe pa shtyllë kurrizore, të cilët nuk kanë asnjë meritë publike, qoftë kjo sociale apo shoqërore, si rasti i Xhaçkës, që të gjithë e dinë pse karriera e saj është ngritur mbi gjunjët e të tjerëve. Ajo e di shumë mirë se nuk është ndonjë meritë e madhe fitimi i lotarisë gjenetike, duke qenë se është mbesa e Sërvet Pëllumbit, njërit prej patriarkëve soc-komunistë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›