E Shtunë, 31 Tetor 2026

2012 FMN optimiste per Shqiperine

Fondi Monetar Ndërkombëtar e la të paprekur parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2012 në 3.5 për qind, ndryshe nga Banka Botërore apo BERZH që parashikojnë rritje edhe më të dobët se kaq.

Në raportin e vet për Parashikimin e Ekonomisë Botërore që u publikua dje, FMN vlerësoi se rritja e vitit 2011 qe 2.5 për qind, ndërsa rritja e këtij viti do të përshpejtohet në 3.5 për qind.

Raporti i FMN-së tha se rreziqet për ekonominë botërore janë shtuar për shkak të situatës në eurozonë, ndërsa paralajmëroi se probleme mund të shfaqen edhe në Indi apo Brazil, vende që kanë pasur sukses ekonomik gjatë viteve të fundit.
EkonomiaKredia, kushtet e Bankës Botërore Ekonomia e zhytur në pesimizëm Pesha e bankave ndihet te bonot e thesarit
Ndryshe nga FMN, Banka Botërore ka parashikuar për rritje ekonomike me vetëm 2 për qind këtë vit, ndërsa Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dha një parashikim edhe më negativ për rritje vetëm 1.2 për qind.

BERZH ka vlerësuar gjithashtu që rritja ekonomike e vitit 2011 qe vetëm 1.8 për qind. Për shkak të prapambetjes ekonomike, Shqipëria ka shumë pak gjasa të bjerë në recesion ekonomik, por rritja e dobët në rendin e 1-3 për qind, krijon shumë tension social dhe rritje të varfërisë.

Parashikimet e agjencive ndërkombëtare kanë qenë në mënyrë të përsëritur më të ulëta se sa ato të qeverisë shqiptare. Të gjitha parashikimet bazohen mbi disa supozime dhe shumë ekspertë të institucioneve ndërkombëtare thonë se marzhi i gabimit të këtyre vlerësimeve është shumë i madh.

Në rast se kriza në eurozonë merr një rrugëzgjidhje shpejt, edhe ekonomia shqiptare mund të kthehet në normalitet. Rreziku më i madh që i shfaqet Shqipërisë nga kriza në eurozonë lidhet me qëndrueshmërinë e buxhetit të shtetit, për shkak se qeveria gjatë viteve të fundit është angazhuar në shpenzime të tepërta, të cilat kanë fryrë stokun e borxhi publik.

Qeveria duket e angazhuar këtë vit të përmbajë shpenzimet dhe deficitin buxhetor, por plani i saj i të ardhurave konsiderohet ende tepër optimist.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›