“Falja e gjakut” pritet me interes në Manhatan

Filmi që trajton zakonin e vjetër të gjakmarrjes është vlerësuar nga një artikull i medias amerikane “Cinema Blend”, në të cilën thuhet se është gjithnjë interesante të vëzhgosh, sesi zëra të fuqishëm të kinemasë ndërkombëtare rrëmbejnë vëmendjen botërore.
Artikulli vijon duke thënë se, ndoshta viti 2012 do të jetë viti i kinemasë shqiptare ose do të jetë viti që do të shënojë mbërritjen e një talenti të ri si Tristan Halilaj, që mbart këtë dramë të fuqishme të një adoleshenti si Niku, që detyrohet të përballet me pasojat e aktit të babait të tij.
Pas shfaqjes së filmit, aktori shqiptar në New York, Herion Mustafaraj, e cilësoi këtë prodhim kinematografik si një punë të shkëlqyer. “Një vepër filozofike po aq sa edhe artistike, një shkollë e re kinemaje. Arti edhe një herë triumfoi sot, duke argumentuar mesazhin filozofik, që “Vëllavrasja është vetëvrasje”, tha ai. Filmi është prezantuar si pjesë e serisë “Bisedë me kinemanë”.
“Falja e Gjakut” është vlerësuar me Çmimin Special të Jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hamptons të New Yorkut, “Skenari më i mirë” në Festivalin e Filmit në Çikago dhe ka marrë “Ariun e argjendtë” në Berlinale.